“Siri, mision paqeruajtës të OKB-së”

30/11/2012 00:30

I dërguari i Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe, Lakdar Brahimi, tha se situata në Siri po përkeqësohet dhe zbatimi  i armëpushimit, sipas tij, duhet të arrihet me ndihmën e një misioni paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara.

“Pa mëdyshje, ajo çfarë është urgjente, është arritja e një armëpushimi që mund të rezistojë. Armëpushimi nuk do të qëndrojë, nëse nuk mbikqyret me shumë vëmendje. Kjo, besoj unë, do të kërkojë një mision paqeruajtës”.

Brahimi tha se palët nuk janë gati për një zgjidhje të brendshme dhe rajoni nuk është në gjendje të ndihmojë drejt paqes.

“Vendi, ku mund të caktohet një zgjidhje paqësore, është në Këshillin e Sigurimit. Jam munduar për të prodhuar një plan. Mendoj se tani i kemi elementët e tij. Por, këto nuk mund të mblidhen bashkë, nëse ky këshill nuk bashkohet dhe nuk është gati të miratojë një rezolutë, që do të jetë baza për një proces politik”.

Brahimi tha se populli sirian ka nevojë për një ndryshim të vërtetë: “Siria e re nuk duhet të ngjasë me Sirinë e sotme”.

Në terren, situata po përshkallëzon. Rruga kryesore, që të ccon në aeroportin e Damaskut, ku u anulluan të gjithë fluturimet prej mëngjesit, ishte mbyllur dhe raportohet për luftime të ashpra mes kryengritësve dhe ushtrisë. Banorët folën për një ofensivë të paprecedentë të trupave pro-qeveritare në lindje të Damaskut.

Linjat telefonike dhe ato të internetit në të gjithë vendin nuk funksiojnë. Sipas ministrit të Informacionit, kjo është vepër e terroristëve. Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut raportoi se janë regjistruar përleshje të forta në lagjet Babila, në afërsi të kryeqendrës së kryengritësve, Tadamun.

Aktivistet thanë se mbi 40 mijë persona kanë humbur jetën prej nisjes së kryengritjes kundër Bashar Al Asadit, prej marsit të vitit të kaluar.

Top Channel