“Mbretëria” e princ Vidit

30/11/2012 00:45

Familja e Sekretarit personal të Princit Vid, z. Duncan Heaton Armstrong, i cili ka shërbyer në Shqipëri gjatë qeverisjes së shkurtër të princit gjerman, i ka dhuruar Muzeut Historik Kombëtar disa sende të veçanta të tij.

Miku i Shqipërisë, z.Malcom Howe, i autorizuar nga e bija e ish-funksionarit të lartë, znj. Griselda Adam, e cila e ka marrë këtë inisiativë, i ka sjellë në Shqipëri këto objekte, në kohë për të përkuar me festën kombëtare të 100-vjetorit të Pavarësisë.

Malcolm Howe, anëtar i Shoqatës anglo-shqiptare, Londër: “Unë bëj pjesë në një shoqatë anglo-shqiptare, e cila është në fakt edhe më e vjetër se Shqipëria. Ajo u krijua më shumë se 100 vjet më parë nga Edith Durham, për t’ju ndihmuar juve të fitoni Pavarësinë tuaj. Vij këtu në emër të miqve të mi, familjarë të z.Duncan Armstrong, sekretarit personal të Princit Vid, i cili ka qenë prijësi juaj. Ata vendosën të mblidhnin atë çka kishte ngelur në familje prej tij, shumica sende të uniformës së tij, të cilat ata i kanë ruajtur për rreth 100 vjet, objekte  të cilat i kam sjellë sot këtu.

Ndër 11 objektet e veçanta, bëjnë pjesë një shpatë ceremoniale çeliku, spaletat, kapela dhe pjesë të tjera të uniformës së kapitenit Armstrong, të dhuruara nga vetë Princi Vid. Si dhe disa medalje të marra gjatë shërbimit në Shqipëri.

Gjithashtu edhe një fotografi me dedikim e Princit gjerman për sekretarin e tij dhe një fotografi e Armstrongut veshur me uniformë, ku spikasin disa prej objekteve të dhuruara.

Drejtori i Muzeut Kombëtar, Luan Malltezi, pasi i ka dorëzuar z. Howe një dëshmi mirënjohjeje për atë vetë dhe z. Adam, i ka bërë ftesë të gjithë shqiptarëve, që kanë objekte me vlerë historike për t’i çuar ato në muze.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA