Kryeministri Berisha ka mbajtur një qëndrim krejtësisht të kundërt nga kreu i LSI-së Ilir Meta, përsa i takon rivlerësimit të figurës së Enver Hoxhës.
Teksa e ka përqendruar një pjesë të konferencës së tij tek Ahmet Zogu, të cilin e cilësoi një figurë antifashiste, kryeministri dalloi vetëm veprën e Luftës Nacional Çlirimtare, teksa më pas renditi ato që i quajti masakra të paprecedentë të diktaturës komuniste në Shqipëri.
“Unë kam prekur vetëm Luftën Nacional Çlirimtare, e ka quajtur dhe e quan atë si një nga luftërat më të ndritura. Ky është besimi im i plotë dhe bindja ime. Por, ato çka i bëri ai Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë, ju nuk mund t’i imagjinoni. Jua them unë dhe me bindjen më të madhe. Nuk ka patur në historinë e Europës regjim më çnjerëzor, se regjimi i Enver Hoxhës”, tha Berisha.
Pavarësisht reagimit të Greqisë, që çoi deri në bojkotimin e festës së 100-vjetorit nga ministri i Jashtëm Avramopulos, zoti Berisha ruajti të njëjtin qëndrim të shprehur edhe në deklaratën zyrtare.
“Nuk shtoj asgjë nga pyetja e parë. Francezi thotë: ‘Miqtë shkëlqejnë për mungesën e tyre’, kaq mjafton. Sa i përket mediave, në Ballkan e jo vetëm, në Europë nuk ka njeri që nuk i do mediat, kështu që nuk kam asnjë problem, si kur shkruajnë kundër meje, ashtu edhe pro meje, unë prap mbetem dashnor i tyre”, shtoi Berisha.
Top Channel