
Kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, ka ftuar kryeministrin Sali
Berisha të nënshkruajë peticionin për mbajtjen e referendumit për
bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.
Ai ka deklaruar se sot peticioni është dërguar në zyrën kryeministrore dhe më pas do tu dërgohet edhe krerëve të shtetit në Shqipëri dhe Kosovë.
”Aleanca Kuq e Zi do të ftojë në këtë peticion për të nënshkruar të gjithë drejtuesit e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, drejtuesit e institucioneve, politikanë të lartë dhe çdo qytetar që gëzon të drejtën e votës. Kjo kërkesë do t’i shërbejë dhe hapjes së një debati transparent mbi qëndrimet zyrtare dhe politike të figurave të larta të dy shteteve shqiptare”, ka thënë Spahiu.
Kreu i AK-së ka përligjur nismën e dërgimit të peticionit në zyrën kryeministrore , me qëndrimet publike të mbajtura nga kryeministri Berisha gjatë javëve të fundit mbi çështjen e bashkimit kombëtar.
“Ne ju ftojmë të jeni një nga bashkëfirmëtarët e parë të kërkesës zyrtare për realizimin e referendumit për bashkimin e dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës. Aleanca Kuq e Zi po ju dërgon bashkëngjitur me këtë ftesë formularin origjinal të firmosur më 28 Nëntor në Morinë nga Kryetari i Aleancës Kuq e Zi, ku u shënua dhe nisja zyrtare për mbledhjen e firmave për realizimin e këtij referendumi. Jeni i lutur që pas nënshkrimit të na e ktheni formularin me qëllim që Aleanca Kuq e Zi të vijojë procesin e firmosjes nga mijëra qytetarë të tjerë me të drejtë vote në Republikën e Shqipërisë”, -ka thënë Spahiu.
Top Channel