Një grup studentësh shqiptarë të Universitetit “La Sapienza” organizuan, në një prej mjediseve të Fakultetit të Juridikut, një mbrëmje me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.
Nisma e tyre mblodhi personalitete të ndryshme, nga Shqiperia kishin ardhur këshilltari i Kryeministrisë për Çështjet e Kulturës, zoti Neritan Ceka, dhe diplomati i shquar zoti Lisien Bashkurti.
I pranishëm ka qenë edhe futbollisti Lorik Cana, i cili aktualisht luan me skuadrën e Lazios.
“Me këtë rast dua t’ju uroj suksese në mësime, në karrierën tuaj, të bëheni të dobishëm për familjet tuaja në radhë të parë dhe jam i sigurt se shumë nga ju do të festojnë edhe 150-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë”, u shpreh Neritan Ceka.
Ndërsa në sallë ushtuan vargjet e Migjenit dhe Kutelit, të interpretuara nga Marsel Lesko, një moment freskie dhe bukurie sollën modelet me veshjet e krijuara nga stilistja Erisa Brahimi, e cila paraqiti disa krijime të frymëzuara nga motivet popullore shqiptare.
Zoti Bashkurti, në përshëndetjen e tij, përveç urimit për këtë 100-vjetor, bëri dhe një urim tjetër:
“Ne nuk qëndrojmë në një shtet të pavarur, por në dy shtete të pavarura, Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës, e cila vitin e ardhshëm feston 5-vjetorin e Pavarësisë. Unë jam shumë i bindur, që në përvjetorin më të shpejtë, që do të vijë, ne nuk do të flasim më për dy shtete, por do flasim për një shtet kombëtar”, tha Bashkurti.
Edhe një prej eksponentëve të sportit, futbollisti Lorik Cana dëshiroi të bënte urimet e tij me këtë rast:
“Siç e dini jam edhe unë shqiptar, vij nga trojet e Kosovës, që për të gjithë ne janë pjesë e Shqipërisë, dhe të shpresojmë se së shpejti, do të jemi siç ndihemi shpirtërisht edhe me politikën, kulturën e sportin, vetëm një”, deklaroi Cana.
Sipërmarrësi shqiptar Ismet Duro uroi studentët me shpresën, që në të ardhmen të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë, të jenë më të bashkuar.
Top Channel