Shqiptarët e Maqedonisë e kanë mirëpritur vendimin e Gjykatës së Hagës për lirimin e Ramush Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tij nga të gjitha akuzat e ngritura për krime lufte.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në telegramin e urimit drejtuar z. Haradinaj shkruan se 100-vjetori i Pavarësisë së shtetit shqiptar dhe Pavarësia e Kosovës nuk mund të ishin të plota pa lirinë e çlirimtarëve. Përmes shefit të grupit parlamentar, nga partia e Ahmetit thanë se me lirimin e Haradinajt, Tribunali i Hagës vërtetoi se përpjekjet e shqiptarëve për liri ishin të drejta.

Talat Xhaferi, kryetar i grupit parlamentar të BDI-së: “Kjo nënkupton se shqiptarët, në këtë përpjekje, nuk kanë rënë ndesh me normat e së drejtës ndërkombëtare humanitare, pra nuk kanë thyer rregullat e luftës, dhe lufta që kanë bërë ka qenë e drejtë, e qëlluar dhe fitimprurëse”.

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, e ka cilësuar si faqebardhësi për të gjithë shqiptarët dhe rikonfirmim të drejtësisë për Ramush Haradinajn, vendimin e Tribunalit të Hagës. Duke i uruar shumë shëndet dhe suksese, Thaçi shkruan se Ramushin e presin beteja dhe fitore të reja, për ta çuar përpara Kosovën dhe kombin shqiptar.

Vendimi për lirimin e Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tij u përshëndet edhe nga partia Rilindja Demokratike Kombëtare.

Izet Zeqiri, deputet i RDK-së: “Ramush Haradinaj, në njëfarë mënyre, ishte viktimë edhe e llogarive politiko-diplomatike lidhur me zhvillimet në Kosovës dhe më gjerë. Lirimi i Haradinajt forcon spektrin e politik-bërjes në Kosovë dhe do të kontribuonte që Kosova të forcojë kapacitetet qeverisëse në tërë territorin e saj.

Shoqata e Veteranëve të UÇK-së në Maqedoni vlerëson se Ramush Haradinaj ngadhënjeu përballë sfidave gjyqësore, të stërngarkuara nga shpifjet e armiqve, të cilët u munduan të njollosin atë vet dhe emblemën e UÇK-së.

Top Channel