Amnistia, lirohen nga burgu 282 persona

29/11/2012 00:00

Rreth 3 mijë të dënuar kanë përfituar nga amnistia e bërë nga qeveria me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së vendit, ndërkohë që 282 persona janë liruar nga burgjet mëngjesin e 28 Nëntorit.

Pas diskutimeve në Kuvend, ligjvënësit vendosën pak kohë më parë që të miratonin amnistinë e shumëpritur nga një numër jo i vogël të dënuarish.

Sipas ligjit që ka hyrë në fuqi më 28 Nëntor, 1380 personat e dënuar jo me burg, por me dënime alternative ose gjobë, u falet dënimi dhe fituan plotësisht lirinë. Ndërsa pushuan ndjekjet penale dhe çështjet në hetim për 876 persona, të cilët deri në 31 gusht të këtij viti kishin kryer krime që dënoheshin maksimalisht deri me 2 vite burg.

Sipas amnistisë, përfitues ishin edhe personat e dënuar me burgim, të cilëve në datën 28 Nëntor 2012 u kishte mbetur pa vuajtur ky dënim deri në 1 vit; të dënuarat femra që në datën 28 Nëntor 2012 janë baraz apo mbi moshën 55 vjeç; të dënuarit meshkuj që në datën 28 Nëntor 2012 janë baraz apo mbi moshën 60 vjeç; të dënuarit me burgim, të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë baraz apo nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre që janë dënuar për vepra penale të cilësuara si të rënda.

Lista e amnistisë u dekretua nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ndërsa amnistia e fundit është bërë në vitin 2007 nga ish-presidenti Bamir Topi.

Nuk munguan edhe protestat nga të burgosur të cilët pretendonin se duhet të futeshin në listën e të amnistuarve, por gjithçka ka përfunduar pas dekretimit të Presidentit.

23-vjeçarja që lë qelinë: Pas burgut më pret shkolla

Amnistia e 100-vjetorit të Pavarësisë do e gjejë 23-vjeçaren Gerta Mezuraj jashtë dyerve të ftohta të burgut.

Ajo është një nga 282 të burgosurit që mundën të përfitonin nga miratimi i ligjit për amnistinë. E reja u zgjua që herët në mëngjes, bëri gati valixhet dhe me padurim priti orarin e përcaktuar nga Drejtoria e Burgjeve për të lënë ambientet gri të burgut 325.

Takimi me shoqet e qelisë duket si një urim që vajzat i bëjnë njëra-tjetrës për të gjetur të gjitha së shpejti fatin e Gertës: “Kam kaluar mirë, por mbijetesa është e vështirë. Kam kaluar dy vite këtu dhe nuk ia uroj askujt këtë eksperiencë. Do përpiqem që kurrë të mos e kujtoj këtë që më ndodhi. Jam paksa e hutuar tani.”

“Në burg ka karaktere nga më të ndryshmet. Mendoj se thellë në shpirt femra është e pafajshme”, shton ajo.

23-vjeçarja shprehet e lumtur për lirimin dhe nuk e fsheh entuziazmin e takimit me familjarët, të cilët që herët në mëngjes e presin në ambientet e jashtme të burgut.

Gerta mendon të rivazhdojë studimet e lëna në mes për inxhinieri gjeo-informatike: “Shpresoj t’i vazhdoj studimet për një jetë më të mirë.”

Gerta Mezuraj, motra e fitueses së Big Brother 4 Ermela Mezuraj, u dënua me 3 vjet e 4 muaj nga Gjykata e Tiranës duke u deklaruar fajtore për vjedhjen e një shume prej 67 mijë eurosh, para’ të cilat ishin xhiroja ditore e një agjencie udhëtimesh ku ajo vetë ishte e punësuar.

Vepra penale, sipas Gjykatës, ishte kryer nga Gerta në bashkëpunim me të dashurin e saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA