Rama: Vlora, një festë e madhe

28/11/2012 00:00

I ftuar në studion e Top-Channel në Vlorë, kreu i opozitës Edi Rama komentoi përfundimin e ceremonisë zyrtare dhe vijimin e festës në sheshin Ismail Qemali.

“Është një moment për t’i shprehur mirënjohjen dhe konsideratën më të lartë kreut të bashkisë së Vlorës, që me pengesa dhe mungesa të mëdha kapërceu këtë sfidë të jashtëzakonshme. Gjithashtu falenderoj qytetarët e Vlorës, që dhanë një nismë solidariteti me bashkinë, për të hapur dyert për mijëra qytetarë të ardhur, që janë gdhirë në Vlorë falë mikpritjes së tyre. Ishte e pritshme jo vetëm nga Kosova, por edhe nga treva të tjera. Askush nuk mendonte se 100-vjetori do të ishte i tillë dhe Shqipëria e bashkuar në Vlorë”, deklaroi Rama.

I pyetur nga TCH nëse ka qënë i qartë mesazhi për një politikë të bashkuar sot në Vlorë, Rama u përgjigj:

“Nuk e di këtë, por besoj se ne kemi bërë detyrën tonë dhe vazhdojmë ta bëjmë atë ndaj këtij qyteti, duke qenë këtu për të respektuar protokollin e shtetit, ku thuhet se pas ceremonisë ka një darkë të shtruar nga kryetari i bashkisë”.

Edi Rama i ka dhënë përgjigje edhe pyetjes se, cila është simbolika e lules në ngjyrë blu të errët vendosur në xhaketë.

“Është ngjyrë vjollcë, një përzierje e së kuqes, ngjyra e flamurit tonë, me ngjyrën e flamurit të BE-së dhe është njëkohësisht ëndrra e rinisë shqiptare”, saktësoi Rama. Kreu opozitës shprehu keqardhje për shmangien që maxhoranca i bëri drekës zyrtare.

“Dreka zyrtare këtu në Vlorë besoj se është një detyrim jo vetëm zyrtar, por edhe etik dhe sigurisht një nderim i parashikuar nga protokolli për gjithë miqtë e ardhur. Ajo është shmangur për të vendosur kurorat për të ashtuquajturën festë e çlirimit, kur nuk ka pikë dyshimi që Shqipëria është pavarësuar më 28 nëntor 1912 dhe është çliruar nga pushtuesit më 29 nëntor 1944”, shtoi Rama.

Rama në Twitter: Ditë historike, shtet kuturu

Kreu i opozitës, Edi Rama, shkroi në Twitter përshtypjet mbi festën e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

“Dite historike, pjesemarrje emocionuese nga cdo treve shqiptare,mikpritje fantastike e shtet kuturu pa protokoll#VLORA.”

Më tej, po në Twitter, Rama i shprehu mirënjohjen kryebashkiakut të Vlorës, familjeve vlonjate dhe gazetarëve që ndoqën festimet në qytetin e flamurit: “Mirenjohje dhe respekt per Shpetim Gjiken e Bashkine e VL qe mes pengesash e mungesash,ia dolen kryelarte sfides se ketij organizimi gjigand. Mirenjohje e falenderim i perulur per disa mije familje vlonjate qe hapen dyert e mikpritjes per shqiptaret e Kosoves, Maqedonise, Presheves! Faleminderit me respekt gazetareve te ekraneve qe respektuan historine, Vloren dhe mbare kombin duke vene ne qende kryeqytetin e pavaresise”.

Në Vlorë vijon festa

Në Vlorë vijon festa e Pavarësië me koncertet festive të organizuara nga bashkia e këtij qyteti me epiqendër Sheshin e Flamurit.

Në një lidhje të drejpërdrejtë me studion e edicionit qendror informativ në Top Channel, kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika falenderoi qytetarët vlonjatë dhe të gjithë ata që rrugëtuan nga trojet e tjera shqiptare drejt Vlorës për të festuar 100-vjetorin.

Zoti Gjika tha se Bashkia e Vlorës është ndjerë e braktisur në këto festime, ndryshe nga pritshmëritë.

“Jam ndjerë i braktisur në këto festime.Ee kisha menduar ndryshe. Kisha menduar që organizimi do të vinte nga pushteti qendror, nga lart poshtë, por ndodhi e kundërta. Organizimi lindi nga poshtë lart”, deklaroi zoti Gjika.

Kryebashkiaku vlonjat shtoi se mënyra e organizimit të festimeve në Vlorë është një bazë e mirë për organizimin e festimeve në përvjetorët e tjerë nga brezat e ardhshëm.

Në fund Gjika kritikoi edhe njëherë qeverinë, që sipas tij, krijoi ndasi në organizimin e festimeve në këtë 100-vjetor të Pavarësisë. Shqiptarët, tha ai, do të votojnë më 23 qershorin e ardhshëm për ndarjen që krijoi kjo qeveri.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta