Vlorë, policia shpall masat e sigurisë

27/11/2012 00:00

Policia e qytetit të Vlorës ka publikuar mëngjesin e së martës masat e
sigurisë për ditën e festës së 28 Nëntorit, për të garantuar një mjedis
të qetë e të sigurtë për qytetarët.

Sipas njoftimit të policisë së qytetit bregdetar, gjatë 28 Nëntorit do të ofrohen shërbime shtesë dhe të përforcuara, të cilat do të zgjasin deri në mbylljen e festimeve.

Sipas njoftimit, autobusët me vizitorë që do të mbërrijnë në qytet për të festuar do të parkojnë në rrugën Transballkanike, e cila do të ruhet gjatë gjithë kohës nga shërbimet policore.

Drejtuesit e uniformave blu të qytetit bregdetar i drejtojnë një apel edhe gazetarëve, që të kufizojnë qarkullimin me automjete gjatë orëve të festimeve.

Ndërkohë janë njoftuar akset ku do të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve dhe parkimeve.

“Në datat 27 dhe 28 Nëntor do të bllokohet Bulevardi Kryesor nga Xhamia e Plumbit – Rrethërrotullimi i Skelës. Do të bllokohet qarkullimi në aksin Rrugor nga Shkolla e Mesme “Halim Xhelo” – Xhamia; aksi rrugor nga Mobilieri Aliko – Kapelja. Pasditen e datës 27 nëntor deri paraditen e 28 Nëntorit do të bllokohet qarkullimi edhe në aksin rrugor nga Shkolla e Muzikës – Transballkanike. Nuk do të lejohet parkimi në të dy krahët e rrugës Transballkanike, parkime të cilat janë përcaktuar për autobusët që do të vijnë nga qytetet e tjera të vendit dhe jashtë tij, ndërsa qarkullimi në rrugën Transballkanike do të lejohet.

Në mënyrë kategorike, mbështetur edhe në Urdhrin e Kryetarit të Bashkisë Vlorë nuk do të lejohet në asnjë aks rrugor të qytetit, qarkullimi i mjeteve të rënda”, sqarohet në njoftimin e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë.

Forcat e rendit kërkojnë mirëkuptimin e qytetarëve që të kufizojnë sa më shumë të jetë e mundur qarkullimin me automjete gjatë këtyre ditëve. “U bëjmë thirrje gjithashtu edhe administratorëve të njësive hoteliere të qytetit të Vlorës që t’i pajisin gjithë klientët e tyre me fletë-hartën e 4 parkimeve falas në qytet që Drejtoria e Policisë Vlorë i ka krijuar për orientimin e të gjithë qytetarëve që do të vijnë në Vlorë për festën e 100 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Drejtoria e Policisë Vlorë në dalje të autostradës do të pajisë të gjithë drejtuesit e automjeteve me Hartat e 4 Parkimeve Falas në qytet me qëllim disiplinimin dhe rrjedhshmërinë e trafikut rrugor në qytet gjatë ditëve të festimeve”, thuhet në njoftim.

Top Channel