Vlora nderon Qosen dhe Withers; përurohet shtatorja e Ismail Qemalit

27/11/2012 00:00

Vlora është në festë. Qyteti i pavarësisë nderoi me titullin qytetar nderi akademikun e shquar Rexhep Qosja dhe ish-ambasadori amerikan John Withers. Qosja e cilësoi Vlorën si “qytetin që bashkon zemrat e të gjithë shqiptarëve”, ndërsa Withers deklaroi se në Vlorë ndjehet si në shtëpine e tij.

Në këtë ceremoni të organizuar nga Bashkia e Vlorës dhe Partia Socialiste, Edi Rama vlerësoi nismën e qytetarëve vlonjatë për të hapur dyert e shtëpive për të pritur qytetarët shqiptarë ngado që vijnë për të marrë pjesë në festën e Pavarësisë.

Ceremonia e dorëzimit të titujve “Qytetarë Nderi” për Rexhep Qosen dhe ish-ambasadorin Withers u pasua me zbulimin e shtatores së Ismail Qemalit në qytetin e Vlorës.

Ndërkohë, në orët e pasdites nisën aktivitetet festive të organizuara nga qeveria me një koncert të madh në Sheshin e Flamurit ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Sali Berisha.

Gazetari Sokol Balla, në një lidhje të drejpërdrejtë me studion e edicionit qendror informativ, tha se “është për të ardhur keq, që në ditën e çeljes së festimeve për 100-vjetorin, kahet e politikës janë të përçara”, asnjë përfaqësues i pushtetit qendror nuk mori pjesë në festimet e organizuara nga Bashkia, dhe asnjë përfaqësues i Bashkisë dhe opozitës nuk merr pjesë në festimet e organizuara nga qeveria”.

Vlora nderon Qosen dhe Withers

Pak ditë më parë bashkia dhe këshilli bashkiak Vlorë vendosën unanimisht nderimin e këtyre dy personaliteteve të shquara me titullin “Qytetar Nderi”, titull i cili i’u është dorëzuar në një ceremoni të veçantë të zhvilluar në sallën e teatrit “Petro Marko”.

Kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, ka vlerësuar figurat e dy personaliteteve të njohura, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar për Vlorën dhe mbarë Shqipërinë. Për Gjikën ish-ambasadori Withers ka mbetur një mik i çmuar për shqiptarët. “Pavarësisht se është larguar fizikisht prej 2 vjetësh nga Shqipëria, ish-ambasadori Withers është shpirtërisht me qytetarët e këtij vendi në të gjithë botën. Çdo 28 nëntor ai organizon në Washington edhe një darkë për pavarësinë e Shqipërisë”,- theksoi Gjika.

Gjatë falënderimit për akordimin e çmimit, ish-ambasadori Withers është shprehur i lumtur për vlerësimin që i është dhënë dhe optimist se Shqipëria do të ketë një rilindje të re lirie. “Para se të vija në këtë podium kisha disa mendime, por dua të filloj më diçka të pamenduar më parë. Siguroj kryebashkiakun Gjika se Vlora ende vazhdon të ketë një vend special në zemrën time. Është hera e parë që jam kthyer në Shqipëri që kur ika si ambasador në 2010, tani kthehem si qytetar amerikan, kur erdha sot në Vlorë pashë gjithë këta njerëz të mrekullueshëm, u ndjeva sikur u ktheva në shtëpi. Nderi që më është dhënë mua sot është nderi më i madh që kam marrë ndonjëherë në jetën time. Dëshiroj të falënderoj politikanët dhe qytetarët e Vlorës. Nuk jam i sigurt nëse e meritoj këtë, që të krahasohem me një figurë të shquar si Rexhep Qosja, të jem në të njëjtën shkallë me të në 100-vjetorin e Pavarësisë dhe në të njëjtën kohë me njerëzit e mrekullueshëm. Nuk kam fjalë të tjera për të shprehur mirënjohjen për këtë çmim. Por kam një premtim: Do bëj që qyteti i Vlorës të ndjehet krenar”,- tha Withers. Duke u ndalur tek historia, Withers tha se beson tek Shqipëria dhe shqiptarët. “83 burra u mblodhën dhe firmosën një copë të vogël letre me 2 fjali, por me firmosjen e saj këta 83 trima firmosën një zotim të shenjtë që deri ditën e sotme transmetohet: ‘Shqipëria të jetë e lirë dhe e pavarur”. Me firmosjen e këtij zotimi ata vunë jetët e tyre në rrezik, duke u përballur me rreziqe të shumta. Por vizioni e mposhti rrezikun, tani ka rreziqe të tjera por ka një vizion të ri, nuk është thjesht të jesh i lirë dhe i pavarur por është vizioni i një demokracie që qeveris me ligje të barabarta, drejtësi, për institucione të pavarura dhe për barazinë. Unë i di sfidat që janë para jush, por besoj tek Shqipëria dhe shqiptarët. Besoj tek ju sepse dija disa gjëra për ju para se të vija këtu dhe të tjera gjëra mësova kur erdha tek ju. Dija për Skënderbeun, Nënë Terezën dhe Musine Kokalarin, Isa Boletinin, Rexhep Qosen, Ismail Kadarenë, Ismail Qemalin dhe e di se ata janë ende mes jush, me vizionet e tyre. Pastaj mësova për qytetin e Vlorës dhe mësova që fryma e Pavarësisë që lindi këtu është ende mes jush. Dhe për shkak të fisnikërisë, mirësisë nuk kam asnjë dyshim që Shqipëria do të ketë një rilindje të re lirie dhe ky ishte vizioni i Ismail Qemalit”,- tha Withers.

Ndërsa akademiku Rexhep Qosja, një prej intelektualëve të shquar të kombit shqiptar, e ka cilësuar Vlorën si zemrën e gjithë shqiptarëve. “Vlora është zemra bashkuese e shqiptarëve, është qyteti i lavdisë. Ndihem i privilegjuar për nderimin që më bëhen, duke u shpallur qytetari nderi në 100 vjetorin e pavarësisë në Vlorë. Për çdo shqiptarë që e don popullin që i takon dhe që e don Shqipërinë dhe e quanim nëna Shqipëri, nuk mund të ketë nderim më të madh sa të shpallet qytetar nderi nga Vlora. Ky është nderim që kuptimëson jetën e të nderuarit dhe e obligon të nderuarin me këtë titull,- tha Qosja. Akademiku ka vlerësuar rolin historik të Vlorës dhe ka kritikuar përpjekjet që po bëhen për t’i zbehur rëndësinë historike që ka qyteti.

“Tani 100 vjet në 28 Nëntor shqiptarët nuk mblidhen dhe festojnë as si toskë as gegë, as si katolik apo mysliman, në Vlorë shqiptarët mblidhen dhe kremtojnë vetëm si shqiptarë. Mblidhen dhe kremtojnë si shqiptarë të bashkuar që pashmangshmërisht do e bëjnë Shqipërinë e bashkuar, Shqipërinë për të cilën votuan delegatët e Vlorës dhe ishte ideali i tyre. Kështu ishte 99 vitet e shkuara, kështu do jetë 10 0 vitet e ardhshme dhe gjithmonë. Kështu do jetë deri sa të jetë Vlora dhe Vlora do jetë gjithmonë. Këtë rol të madh historik kombëtar Vlorës nuk do mund t’ia marrë kush kurrë, ama kurrë. Këtë rol të madh historik Vlorës ia ka dhuruar historia dhe gjeografia dhe e kanë në mendje dhe në zemër të gjithë atdhetarët shqiptarë”,- theksoi Qosja.

Shtatorja e re e Ismail Qemalit në Vlorë

Vetëm një ditë përpara se shteti shqiptar të mbushë 100 vjeç është inaguruar në qytetin e pavarësisë shtatorja e babait të kombit, Ismail Qemalit, që është edhe vepra më e madhe monumentale e këtyre njëzet viteve për njeriun që kreu veprën më të madhe historike në këto njëqind vjet.

Zbulimi i shtatores së Ismail Qemalit u bë nga dy të ftuarit të nderit të Bashkisë Vlorë, ish-ambasadori Xhon Withers dhe akademiku Rexhep Qosja, në prezencë të kreut të opozitës Edi Rama, deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kosovës e qindra qytetarëve të pranishëm në këtë ceremoni.

Kryebashkiaku i Vlorës vlerësoi veprën e Ismail Qemalit si e pamundur për t’u zbehur nga çdo përpjekje tinzare, siç e quajti ai theksin që qeveria i dha Ahmet Zogut, perpjekje që sipas Gjikes nuk u pranua nga shqiptarët, të cilët kanë ardhur nga të gjitha trevat shqipfolesë për të nderuar vepren e Ismail Qemalit në Vlorë.

”Ajo që bëri këto ditë qeveria duke marrë një bust nga muzeu dhe duke e fshehur në një lulishte është më shumë se sa e turpshme. Të nderosh lloj-lloj monarku e satrapi, e të harrosh babain e kombit është e palejueshme. Nuk do t’i thoja këto fjalë nëse kjo do të ishte lajthitja e vetme e kësaj qeverie të sotme, por në vend që ky 100-vjetor të na gjente të bashkuar dhe pa ndarje politike, në vend që ky rast të na afronte ashtu si amaneti i rilindasve të vitit 1912, me djallëzi dhe favore partiake qeveria luajti me kartën e rivalitetit, duke dashur të spostojë kryeqendrën nga Vlora kushesi se ku”, deklaroi kryebashkiaku Gjika.

Kreu i opozitës, Edi Rama, gjithashtu përforcoi vlerësimin për Ismail Qemalin si figura më e rëndësishme e kombit në njëqind vite, amanetin e të cilit tha ai, kemi për detyrë ta çojmë në vend.

”Ne shqiptarët duhet të shikojmë nga e ardhmja dhe me një vizion të përbashkët, të ndërtojmë kushtet që në të gjitha trojet shqiptare të përgatitet gjenerata e re e shqiptarëve europianë të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e kudo qofshin. E atyre që sot janë fëmijë, por që nesër, ne kemi detyrimin që t’u japin mundësinë që të jenë qytetarë të dorës së parë në Bashkimin Europian”.

Qytetarët më të rinj të Vlorës, siç u cilësuan akademiku Qose e ish-ambasasodori Withers, vlerësuan Ismail Qemalin si vizionarin që mundësoi egzistencën e Shqipërisë. Ndërsa ish-ambasadori i SHBA-së solli një këndvështrim tjetër për themeluesin e kombit shqiptar.

”Kur koha është e keqe, zogjtë fluturojnë ulet  dhe fshihen në vende të sigurta. Vetëm shqiponjat fluturojnë lart, e Ismail Qemali ishte një shqiponjë”, tha Withers.

Shtatorja e bronxtë, një investim i Bashkisë Vlorë, është e lartë shtatë metra e 20 centimetra, nga të cilat tre metra bazamenti dhe katër metra e 20 centimetra skulptura. 

Aktivitetet e qeverisë në Vlorë

Kryeministri Sali Berisha mbërriti rreth ores 17 të pasdites në Vlore, ku iu bashkua mijëra qytetarëve që po festojne atje 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

I emocionuar nga pritja e qytetarëve dhe nga atmosfera e jashtëzakonshme e Vlorës së Pavarësise, kryeministri Berisha ka përshkuar në këmbë një distancë të gjatë nga hyrja e Vlorës deri në sheshin qëndror.

Kryeministri Berisha gjeti fjalët më të ndjera për të shprehur mirënjohjen e pakufishme për Vlorën dhe vlonjatët që i bënë të mundur shqiptarëve nga të gjitha trojet etnike të shpallnin pavarësinë 100 vjet më parë.

“Mirëmbrëma Vlora! Mirëmbrëma mbarë Shqipëria e shqiptarët kudo ku jeni! Përshëndetjet më vëllazërore nga Vlora e flamurit, Vlora e Ismail Qemal Vlorës, Vlora  e pavarësisë. Mirënjohjen më të thellë për këtë pritje vëllazërore. Do të lexoj këtu, para jush, këto pak fjalë që shkrova në këtë pergamenë: Vlorës, qytetarëve të saj, Ismail Qemal Vlorës e burrave të tjerë të kombit, që shpallën në këtë qytet të përjetshëm, në 28 nëntor të viti 1912, pavarësinë e Shqipërisë, pavarësinë e Shqipërisë etnike, Shqipërisë së të gjitha trojeve shqiptare nga Preveza në Preshevë, nga Shkupi në Podgoricë. Nder përjetë babait të pavarësisë së Shqipërisë Ismail Qemal Vlorës, burrave që firmosën aktin e pavarësisë, qytetarëve të Vlorës e të mbarë Shqipërisë! Gëzuar 100 vjetorin!”, deklaroi Berisha.

Topalli shtron darkën për të ftuarit

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka shtruar një darkë mirëseardhjeje, për nder të personaliteteve vendas dhe të huaj, të cilët kanë mbërritur për të marrë pjesë në festimet në Vlorë.

Darka është organizuar në një prej lokaleve në zonën e Skelës. Kanë qenë kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, presidentja Jahjaga, lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti dhe trupa diplomatike e akredituar në Tiranë.

Krahas deputetëve dhe ministrave të maxhorancës, i ftuar ishte edhe lideri i LSI-së Ilir Meta. Zonja Topalli ka mbajtrur një fjalë të shkurtër, duke iu uruar mirëseardhjen të ftuarve.

“Sot është një ditë jashtëzakonisht e veçantë, jo thjesht se është 100-vjetori i Pavarësisë, jo thjesht se është numri 100, por sepse ky jubile për ne, thotë shumë për historinë tonë. Kurrë nuk ka ndodhur, që ne të jemi kështu, të gjithë bashkë. Faleminderit! Është nata më e bukur, përvjetori më i bukur. Të gjithë bashkë, të lirë dhe optimistë, shohim me pozitivitet të ardhmen. Kurrë ndonjëherë më parë, shqiptarët nuk kanë qenë më të lirë”, tha Topalli.

Në këtë darkë, ashtu siç edhe kishte deklaruar publikisht, nuk ishte kryebashkiaku i Vlorës Shpëtim Gjika, si dhe asnjë përfaqësues i opozitës.

 

Top Channel