Protagonistë të mëdhenj të ngjarjeve të 100 viteve më parë, patriotë që nuk kursyen asgjë për të nxjerrë Shqipërinë nga robëria 500-vjeçare e otomanëve, Hasan Prishtina, Idriz Seferi, Bajo e Cerçiz Topulli, janë vetëm disa nga figurat që i munguan Vlorës në 28 nëntor 1912, ditën e shpalljes së pavarësisë, për shkak të situatave politike, trazirave të kohës apo arsyeve shëndetësore.
Hasan Prishtina ishte një personalitet i madh i kombit shqiptar dhe figurë nga më të shquarat e lëvizjes kombëtare, i cili nuk mundi të ishte në krah të Ismail Qemalit më 28 nëntor. Nga muaji maj e deri në gusht të vitit 1912, udhëhiqte kryengritjen e përgjithshme në tokat shqiptare të vilajetit të Kosovës e Manastirit duke përgatitur ngritjen e flamurit dhe zgjidhjen përfundimtare të çështjes kombëtare shqiptare. Rrethanat tragjike të zhvillimeve të Luftës Ballkanike nuk e lejuan të ndodhej në momentin e shpalljes së pavarësisë. Nga data 4 nëntor 1912 ka qenë i burgosur nga serbët në Kalamegdan, në Beograd, burg në të cilin e kanë mbajtur deri në 1 prill 1913 dhe e kanë liruar falë presionit ndërkombëtar.
Idriz Seferi ishte komandant dhe udhëheqës i formacioneve luftarake në trevat e Kosovës. Nuk mundi të ishte në Vlorë ditën e shënuar pasi ishte në moshën 65-vjeçare dhe i lodhur nga lufta. Ai dërgoi në Vlorë 300 luftëtarë. Pak ditë më pas u arrestua dhe u çua në burgun e Kalamegdan. U lirua më 16 maj 1913.
Bajo e Cerçiz Topulli, patriotë me pushkë e penë, atdhetarë e veprimtarë të shquar të Rilindjes. Bajo ngriti komitetin për lirinë e Shqipërisë. Disa muaj më pas do të ishte vullnetari i parë në të parën çetë çlirimtare duke u quajtur Garibaldi i Shqipërisë. Ndërsa Cerçiz Topulli, udhëheqës i luftës së armatosur të çetave kundër sunduesve osmanë, pas fitores së revolucionit xhonturk punoi për formimin e klubeve shqiptare dhe për çeljen e shkollave shqipe në vise të ndryshme të vendit. Pas shpalljes së pavarësisë, u vu në shërbim të qeverisë së Ismail Qemalit dhe luftoi për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut.
Mbetet enigmatike mungesa e vëllezërve Topulli në Kuvendin e Vlorës. Kësaj liste i mungojnë edhe shumë emra të tjerë patriotësh, të cilët pavarësisht kontributit të tyre, nuk mundën të jenë më 28 nëntor në Vlorë. Shpresojmë që pluhuri i harresës të mos i fshijë gjurmët e tyre.
Top Channel