Një 33-vjeçar nga Liverpuli u shndërrua në mbajtësin e një rekordi të veçantë të librit “Guiness”, me vizitën që realizoi një ditë më parë në shtetin më të ri të botes, Sudanin e Jugut.
Në 1 426 ditë, pothuajse në katër vjet, britaniku u bë protagonist i udhëtimeve epike, që e çuan atë në çdo shtet të globit, por pa përdorur asnjëherë avionin si mjet transporti.
Turi perfundoi te henen ne viziten ne shtetin e fundit te pavizituar, shtet qe kur Graham nisi udhetimin e tij nuk ishte krijuar ende.
33-vjeçari nuk është personi i parë që ka vizituar secilin prej vendeve të Tokës, por fiton rekordin pikërisht për faktin se është i pari që realizon këtë arritje, duke përdorur vetëm transportin rrethanor, automobilistik, hekurudhor, detar apo lumor, duke shmangur në çdo rast fluturimet.
Udhëtimi i Graham e dërgoi atë në 201 shtete, përfshi Shqipërinë, të cilën për nga radha e vizitoi të 69-n.
Midis momenteve më të veçanta të turit rreth globit, Graham veçoi udhëtimin me një anije në prag të fundosjes në Kepin e Gjelbërt, burgosjen për një javë në Kongo me akuzën e të qënit spiun, arrestimin në Rusi për akuza të ngjashme dhe shpërtimin nga duart e fondamentalistëve muslimanë në Filipinë nga një grua e quajtur Jenn.
Midis te tjerave, Graham shkeli edhe Sirinë në luftë civile, Irakun e Afganistanin nën kontrollin e forcave të NATO-s apo vendin më të izoluar të botës, Korenë e Veriut.
”Më pëlqen të udhëtoj. Në fillim thjesht doja të sfidoja veten, të shihja nëse diçka e tillë mund të bëhej me të vërtetë dhe katër vjet më pas ja ku jam, me këtë rekord të pabesueshëm. Pasi kam parë çdo vend, mund të them se bota është një vend i madh dhe i frikshëm, por kudo ka edhe nga ata njerëz, tërësisht të panjohur, që të gjenden afër dhe janë të gatshëm të të ndihmojnë”, deklaroi liverpulasi në shtypin britanik.
Në total, 33-vjeçari vizitoi të 193 vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, plus territoret e panjohura plotësisht apo me status të veçantë të Tajvanit, Vatikanit, Palestinës, Kosovës, Saharasë së Veriut dhe katër ishuj formalisht autonomë, nën sovranitetin e kurorës britanike.
Top Channel