Ata kanë pranuar të shkurtojnë borxhet me 40 miliardë euro, duke i hapur rrugë lëvrimit të këstit të radhës të huasë, rreth 44 miliardë euro, për t’i shpëtuar falimentimit.

Duke mirëpritur lëvizjen, presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, tha se ky veprim “do të përforcojë besimin në Europë dhe Greqi”. Marrëveshja erdhi pas 10 orëve bisedimesh në Bruksel.

Ky ishte takimi i tretë i Eurozonës, gjatë dy javëve të fundit, në lidhje me situatën në Greqi. Ajo i hap kështu rrugën për mbështetje ndaj bankave të lëkundura të Greqisë, si dhe lejon qeverinë të paguajë pagat dhe pensionet për muajin dhjetor.

Greqia ka qenë në pritje që prej muajit qershor për këtë këst ndihme, në mënyrë që të ndihmojë ekonominë e saj të mbytur nga borxhet ende gjallë.

Kreu i grupit të Ministrave të Financës të Eurozonës, Jean-Claude Juncker, tha se ndihma nuk ka vetëm pasoja financiare. “Kjo nuk është thjesht për parà. Është një premtim për një të ardhme më të mirë për popullin grek dhe për zonën e Euros, si një e tërë”.

Ndërkohë, komisioneri i Bashkimit Europian për çeshtjet ekonomike e monetare, Olli Rehn, tha se është tepër e rëndësishme që, më në fund, u arrit një marrëveshje. “Për Eurozonën, ky ishte një test real i besueshmërisë tonë, i aftësisë tonë për të marrë vendime para çeshtjeve më sfiduese. Ishte një test, në të cilin thjesht nuk mund të dështonim”.

Huadhënësit ndërkombëtarë të Greqisë pranuan të ndërmerrnin hapat e duhura për reduktimin e borxheve të vendit, nga 144% që ishte parashikuar në 124% të GDP-së, deri në 2020-n. Kjo përfshin përqindjen e interesit të huave ndaj Greqisë, duke i rikthyer Athinës 11 miliardë euro fitime, nga blerja e bonove të qeverisë greke prej Bankës Qendrore Europiane.

Ministrat pranuan gjithashtu të ndihmonin Greqinë, për të shkurtuar bonot e saj kundrejt investitorëve privatë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA