Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka uruar shqiptarët për
jubileun e 100 vjetorit e Pavarësisë dhe ka shprehur dhe njëherë
nevojën që politika shqiptare të miratojë reformat dhe garantojë
zgjedhje të lira.

“Që nga themelimi i një republike demokratike, Shqipëria ka bërë përparime të mëdha përpara. Sot, Shqipëria është e gatshme të konsolidojë ato fitore dhe të integrohet në një Evropë që është e tërë, e lirë dhe në paqe. Por kjo kërkon miratimin e reformave të mbetura tani, dhe kryerjen e zgjedhjeve të lira dhe transparente parlamentare pranverën që vjen, forcimin më tej të demokracisë dhe modernizimin e Shqipërisë, për t’iu përgjigjur nevojave të popullit shqiptar”, shprehet Clinton.

Më tej në emër të Presidentit amerikan Barack Obama dhe të popullit të Shteteve të Bashkuara, Clinton dërgon urimet më të mira për popullin shqiptar për 28 nëntorin, Ditën e Pavarësisë. “Derisa festoni me familjet dhe të dashurit tuaj, duhet ta dini se Shtetet e Bashkuara janë partner dhe mik dhe ne dëshirojmë të ardhme të vazhdimit të miqësisë dhe bashkëpunimit”, përfundon deklarata e zonjës Clinton.

Top Channel