28 nëntori është ditëlindja e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari.
I nderuar nga të gjithë shqiptarët, si simboli i qëndresës për liri, Adem Jasharit i janë kushtuar nderimet më të larta edhe në Tiranë, ku një bust me përmasa të vogla është zëvendësuar nga një shtatore 6 metra e lartë, e skulptorit Muntaz Dhrami.
Për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, organizator i kësaj ceremonie, ishte rasti që të evidentonte prejardhjen e tij nga Drenica.
“Si kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe si mik Drenice e Kosove, më lejoni ta përshëndes ‘Mirëseerdhe Bac Adem’”, tha Basha.
Ajo që ra në sy në të gjitha nderimet që iu bënë Adem Jasharit, ishte vënia në dukje e togfjalëshit më të përdorur të këtij muaji, bashkimit kombëtar.
“Uroj 28 nëntorin, ditën e flamurit, dëshiroj që populli shqiptar të jetë gjithmonë i bashkuar dhe së bashku të arrijmë qëllimet tona, për të cilat luftuan të tjerët deri tani, dhe të çojmë amanetet e tyre aty ku ata dëshiruan”, tha Refat Jashari.
“Ky tubim sot, pas atyre në Shkup, Prishtinë, Mitrovicë, Drenicë, Llap, Karadak, Dukagjin e kudo është tubimi që i jep kuptim manifestimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, sepse komandanti legjendar Adem Jashari dhe bashkëluftëtarët e tij i dhanë kuptim lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës”, u shpreh Hashim Thaçi.
“Jemi këtu nga të gjitha trojet etnike shqiptare. Ndihemi krenarë për ju komandant, por sot jemi këtu për t’u zotuar solemnisht se do bëjmë gjithçka që të shndërrojmë përfundimisht në realitet ëndrrën e bashkimit kombëtar, si ëndrra më fisnike, më e bukur, ajo e vërtetë europiane e këtij kombi”, përfundoi Sali Berisha.
Top Channel