Partitë maqedonase të opozitës e kanë quajtur nënçmues dhe provokues për popullin maqedonas manifestimin qendror, që u mbajt në Shkup për shënimin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Politikanëve maqedonas u kanë penguar mesazhet e kryeministrave shqiptarë për bashkim kombëtar. Ata po ashtu janë shprehur të revoltuar nga vendimi i kryeministrit Gruevski për të udhëtuar jashtë vendit, pikërisht në ditën e mbajtjes së këtij manifestimi.

Andrej Petrov, sekretar i përgjithshëm i LSDM-së: “Sovraniteti dhe dinjiteti kombëtar i Republikës së Maqedonisë edhe më shumë u nënçmua me faktin që, në qendër të Shkupit, mysafirët nga Shqipëria dhe Kosova kryeministrat Berisha dhe Thaçi festuan, ndërsa presidenti Ivanov dhe kryeministri Gruevski ikën. Njëri u fsheh në vilën e tij, kurse tjetri iku në vizitë të paparalajmëruar në SHBA. Pra mysafirët bënin festë të madhe, ndërsa nikoqirët ikën dhe e lanë vendin pa zot shtëpie”.

Nga ana tjetër, nga partia shqiptare në pushtet BDI, kanë thënë se manifestimi nuk ka provokuar askënd dhe nuk është organizuar kundër askujt.

Talat Xhaferi, koordinator i grupit parlamentar të BDI-së: “Manifestimi i mbrëmshëm, sipas meje ishte manifestim dinjitoz i paralajmëruar që më parë, si ndodhi qendrore e shënimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë dhe ditës së flamurit kombëtar. Mendoj që, shqiptarët e Maqedonisë, manifestim më dinjitoz, më përmbajtësor nuk kanë pasur në historinë e tyre”.

Në manifestimin për festimin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, që u mbajt në Shkup, kryeministri Berisha ftoi shqiptarët të punojnë për bashkimin kombëtar, ndërsa kryministri Hashim Thaçi tha se Kosova do të jetë gardian i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

Top Channel