1000 persona të dënuar nga gjykata me shërbimin e provës prej të cilëve 700 kanë marrë këtë dënim  alternativ për akuzen e vjedhjes, përfitojnë nga amnistia e cila hyn në fuqi Ditën e Flamurit me 28 nëntor.

Ndërkohë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve deklaron se nga ligji për dhënie amnistie rreth 220 të dënuar do të lënë ambientet e burgjeve në të gjithë vendin herët në mëngjes.

“Rezulton se pjesa më e madhe janë të dënuar për vjedhje, pastaj ka edhe për plagosje të rëndë paragrafi parë, për falsifikim, armëmbajtje pa leje në paragraf të dytë dhe vepra të tjera. Amnistia mund të vazhdojë edhe ditët në vazhdim, sidomos sa i përket uljes së dënimit. Për këtë kategori do të vazhdojë”, deklaron zoti Tushe.  

Por sipas zotit Tushe nuk mundet të jepet një shifër e saktë për të dënuarit që përfitojnë  pasi është vënë re se persona të dënuar në mungesë sipas 29 neneve të Kodit Penal Ushtarak dhe Kodit Penal po vetëdorëzohen në komisariate në mënyrë që edhe ata të përfitojnë amnistinë apo uljen e dënimit.

“Në numrin e këtyre të dënuarve që lirohen, rreth 13-15 janë të mitur ndërsa pjesa tjetër janë të grupmoshave të ndryshme. Duhet të theksoj se rreth 220, sepse gjatë këtyre ditëve ka patur dhe do të ketë prurje të reja në ambientet tona për shkak se në komisariatet e policisë po vetëdorëzohen të dënuar që kanë marrë masën e dënimit në mungesë dhe të gjitha ata që përfitojnë nga amnistia po dorëzohen pranë komisariateve”, shtoi Arben Tushe.

Dy nenet që amnistohen nga Kodi Penal Ushtarak janë neni 33 dhe 34 që bëjnë fjalë për ushtarë apo ushtarakë që janë dënuar për shmangie nga shërbimi ushtarak, dezertimi, mosparaqitja në repart si dhe dezertimi i kuadrit komandues.

Nga Kodi Penal përfitojnë amnistinë edhe ata persona që janë dënuar me gjobë nga gjykata  me përjashtim të personave që janë dënuar me veprat penale që nuk përfshihen në krime të rënda.

Top Channel