Policia e kryeqytetit ka planifikuar një plan masash për garantimin e
mbarëvajtjes së veprimtarive që do të zhvillohen në kuadër të
100-vjetorit të Pavarësisë.
Në kuadër të këtyre masave më datë 28 Nëntor 2012, policia do të ndalojë qarkullimin e automjeteve dhe kufizimin e lëvizjes së mjeteve në segmentet të disa rrugëve.
“Nuk do të lejohet parkimi dhe lëvizja automjeteve nga sheshi “Rilindja” deri tek sheshi “Skënderbej”, në segmentin rrugor të rrugës “Bardhok Biba”,në segmentin rrugor të rrugës “Urani Pano”, në segmentin rrugor nga kryqëzimi i rrugës “Barrikada” me rrugën “Dibrës”, deri tek sheshi “Skënderbej”. Do të bëhet bllokimi e lëvizjes së mjeteve në segmentin rrugor nga Kryqëzimi i rrugës “Luigj Gurakuqi” me rrugën e Barrikadave (tek kryqëzimi i 9-katsheve), deri tek sheshi “Skënderbej”.
Do të bllokohet lëvizja e mjeteve në segmentin rrugor Kryqëzimi i Bulevardit “Zogu i Parë” me rrugën ‘Fortuzi” deri tek sheshi “Skenderbej”. Po ashtu do të bllokohet segmenti rrugor nga kryqëzimi i Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” me Ministrinë e Mbrojtjes deri tek sheshi “Skënderbej”.Bllokohet segmenti rrugor nga kryqëzimi i rrugës së “Kavajës” me rrugën “Kont Urani” deri tek sheshi “Skënderbej”, do të ketë kufizime të lëvizjes së mjeteve përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”’ thuhet në njoftimin e policisë kryeqytetase. Më tej forcat e rendit kanë paralajmëruar se nga ora 18:00 deri në 22:00 do të bëhet bllokimi i lëvizjes së mjeteve dhe nuk do lejohet parkimi i mjeteve në segmentin rrugor nga kryqëzimi i Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” me bulevardin “Bajram Curri” deri tek sheshi “Nënë Tereza”, për shkak të zhvillimit të koncertit përmbyllës festiv në sheshin “Nënë Tereza”, thuhet ne njoftimin e policise.
Top Channel