Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov ka refuzuar ftesën e kolegut të tij shqiptar Bujar Nishani për të marrë pjesë në manifestimin qëndror të shënimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë në Tiranë.
Nga kabienti i presidentit maqedonas, njoftojnë se Ivanov ka anuluar vizitën për shkak të incidenteve të fundit, por pa precizuar për cilat incidente bëhet fjalë. Nervozizëm tek opinioni maqedonas ka shkaktuar gjuajtja me vezë e kryeministit Nikolla Gruevski gjatë vizitës në Tiranë si dhe djegia e disa flamujve maqedonas.
Në forma të ndryshme në media është komentuar edhe manifestimi që u mbajt të dielën në Shkup për 100 vjetorin e Pavarësisë. Prezenca e dy kryeministrave shqiptarë në këtë manifestim e ka provokuar më tepër Ministrinë e Jashtëm dhe deputetin e VMRO-DPMNE-së Antonio Milloshovskin i cili në Twiter ka komentuar: “Sa më e madhe përçarja mes maqedonasve, aq më i madh do të jetë flamuri shqiptar”.
Ndërkohë, opozita maqedonase ka thënë se Sali Berisha dhe Hashim Thaçi kanë cënuar integritetin e Maqedonisë me deklaratat për bashkimin e shqiptarëve.
Pavarësisht reagimit të maqedonasve, shqiptarët në Maqedoni kanë vazhduar aktivitetet për festën. Në kuadër të festimeve për 100 vjetorin e Pavarësisë së shtetit shqiptar në Tetovë është përuruar godina e re e Universitetit Shtetëror të Tetovës.
Top Channel