Për disa vite me radhë, administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galliani, pretendonte se pas kalimit të dyfishtë të Seedorf dhe Pirlos në radhët kuqezi nga Interi, nuk mund të bëheshin marrëveshje merkato midis dy ekipeve te Milanos.
Megjithatë, shkëmbimi Cassano-Pazzini “theu akullin” dhe tashmë, sipas mediave italiane, kalimi i Wes Sneijder në “Milanello” është një mundësi reale.
Së fundmi, Interi i ofroi holandezit, forma e të cilit ka rënë dukshëm nga koha kur ishte udhëheqësi i padiskutueshëm i skuadrës së tripletës, që 12 milionë eurot që do të fitojë në bazë të kontratës në dy sezonet e ardhshme, të pranonte t’i merrte për tre sezone.
Një opsion i tillë do të reduktonte pagën vjetore të mesfushorit në katër milionë euro, nga gjashtë që është ajo aktualisht dhe përfaqësuesit i futbollistit, i bëri të qartë klubit se klienti i tij nuk do të pranojë asnjë negociatë të tillë.
Në këto kushte, me Snejder të shndërruar në një rezervë luksi dhe pre e dëmtimeve të shumta gjatë viteve të fundit, Interi ka vendosur të kërkojë një blerës në muajin janar.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Galliani është duke ndjekur me vëmendje ecurinë e Snejder, për të cilin mund të ofrohet huazimi deri në fund të sezonit me të drejtë blerje.
Top Channel