Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, u bëri thirrje nga Shkupi të gjithë shqiptarëve që në të ardhmen të përqendrojnë të gjitha energjitë për të realizuar ëndrrën e të parëve që gjatë një shekulli flijuan gjithçka për bashkimin kombëtar.
Gjatë fjalës së tij në manifestimin që u mbajt për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë që u organizua në Shkup, Berisha tha se fqinjët e Shqipërisë nuk duhet të frikësohen nga bashkimi i shqiptarëve.
“Festa e kombit nuk mund të fillonte në vend tjetër përveç Shkupit. Ky 100-vjetor na fton dhe na frymëzon të vazhdojmë të punojmë për të bërë realitet ëndrrën e atyre që u flijuan gjatë një shekulli për lirinë dhe dinjitetin kombëtar, për bashkimin kombëtar të shqiptarëve.”
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se falë ushtarëve të UCK-së në Kosovë dhe Maqedoni, shqiptarët në këtë 100-vjetor janë më të lirë se kurrë: “Sot, si asnjë komb në rajon, shqiptarët kanë dy kombe më vete: Shqipërinë dhe Kosovën, por e ardhmja siguron dhe garanton se shqiptarët do të jetojnë vetëm në një hapësirë unike dhe integruese, si një komb i vetëm.”
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, kërkoi nga qytetarët maqedonas të mos e keqkuptojnë festën e shqiptarëve të Maqedonisë për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë: “Ne duam që në këtë vend të vendoset mirëbesimi i mirëfilltë. Ne duam respekt të ndërsjelltë.”
Manifestimi në Shkup për 100-vjetorin e shtetit shqiptar u shoqërua me një program të pasur artistik dhe u ndoq nga mijëra qytetarë nga të gjitha trevat e Maqedonisë.
Para fillimit të manifestimit, Berisha, Thaçi dhe Ahmeti kanë vendosur kurora lulesh para përmendores së Hasan Prishtinës në nderim të veprës së këtij atdhetari të madh.
Top Channel