“Ngri Flamurin”, Rama falënderon të rinjtë

26/11/2012 00:00

Kreu i opozitës Edi Rama ka shprehur mirënjohjen e tij personale dhe të
Partisë Socialiste për ata mijëra shqiptarë në të gjithë botën, të cilët
iu përgjigjën pozitivisht iniciativës online të PS “Ngri Flamurin” duke
shkruar ëndrrat e tyre për Shqipërinë e nesërme këtë 100-vjetor.

“Dua sot t’i përshëndes vetë personalisht të 10 101 përdoruesit e Facebook-ut, që brenda që më pak se tre javësh i dhanë një gjallëri të jashtëzakonshme projektit tonë online “Ngri Flamurin” dhe ndanë me ne ëndrrën e tyre. Mijëra ëndrra për të nesërmen u bënë kështu pjesë e një koleksioni të bukur falë secilit prej tyre që ngriti flamurin, duke ndarë me ne ëndrrën e vet. Pas shpalljes së 100 fituesve në bazë të numrit të pëlqimeve që çdo ëndërr ka marrë në rrjet projekti do të finalizohet në sallën e teatrit ‘Petro Marko’ në Vlorë në 28 Nëntor”, tha Rama.

Edi Rama theksoi rëndësinë që merr kremtimi 100-vjetorit, duke e vënë theksin në nevojën e një feste gjithëpërfshirëse.

“Ky është edhe 100-vjetori i njerëzve të zakonshëm, i ëndrrave dhe i shpresave të shqiptarëve të sotëm që në këtë 100-vjetor duan dhe meritojnë punësim real, taksim të ndershëm mbështetje për sipërmarrjen e tyre, shërbime publike sipas nevojës, jo sipas xhepit, zhvillimit të qëndrueshëm, jo rrënim të mëtejshëm të vendit, prandaj me 28 Nëntor ne do të mblidhemi në Vlorë me 100 ëndërrimtarët e mbledhur prej pjesëmarrësve në projektit dhe do të ndajmë së bashku me ta ëndrrën tonë për një Rilindje Shqiptare. “Kam një ëndërr” do të jetë aktiviteti që do të përmbyllë me njerëzit e zakonshëm dhe për njerëzit e zakonshëm kremtimet tona të 100-vjetorit. Ne do ta bëjmë modestisht 100-vjetorin edhe festën ku njerëzit e zakonshëm nuk janë vetëm spektatorë, por edhe protagonistë”, tha Rama.

Në fund të deklaratës për median, shefi opozitës shqiptare the se ai pret me padurim të takohet e të ndaj me 100 të përzgjedhurit përmes vetë rrjetit, ëndrrën për Shqipërinë që duam.

Durrës, festa e Pavarësisë


Nderohen firmëtarët dhe ata që mbrojtën Ismail Qemalin

Kryetari i PS, Edi Rama mori pjesë në simpoziumin mbi kontributin e qytetit dhe qytetarëve durrsakë në 100-vjetorin e Pavarësisë, me rastin e ngritjes së flamurit 100-vjet më parë në këtë qytet, ku një nga firmëtarët është stërgjyshi i kreut të opozitës.

Historiani Hajredin Isufi u ndal në rolin dhe kontributin e patriotëve durrsakë në ngritjen e flamurit. Ndërsa Artan Lame dhe Artan Shkreli më pas i kanë shpjeguar të ftuarve në këtë ceremoni historikun e flamurit nëpërmjet një ekspozite.

Kreu i opozitës Edi Rama, pasi falenderoi dy organizatorët e ekspozitës, tha se ata dhanë mundësinë që të shëtisim në të gjitha trojet shqiptare për të çuar pamjet e rrugëtimit të magjishëm të flamurit shqiptar, i cili e nisi rrugën e tij në nëntorin e vitit 1912 dhe me ecurinë e një shekulli kaloi mes shumë peripecive.

“Ajo çka sot e bën të magjishëm 100-vjetorin besoj unë është fakti se shqiponja me fushë të kuqe është çliruar gjatë rrugëtimit të vet nga kurora princërore, nga kurora mbretërore,  shenjat që i vunë qoftë fashizmi qoftë komunizmi dhe vjen në këtë 100-vjetor për të gjithë shqiptarët e lirë në qiellin e kuq, duke u bërë pika e bashkimit të të gjithë shqiptarët. Sot shqiptarët janë të bashkuar rreth flamurit të tyre më shumë se asnjëherë tjetër, sepse rreth flamurit të tyre sot ata janë të lirë që ta ngrenë flamurin e tyre kudo ku jetojnë, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Preshevë, në Mal të Zi dhe kudo tjetër”, deklaroi Rama.

 

Top Channel