Pas Interit, Juventus mundet sërish nga një skuadër nga milaneze. Është Milani i Alegrit ekipi i cili i ka shkaktuar humbjen e dytë sezonale Zonjës së Vjetër.
Rikthimi pas shumë kohësh i Berluskonit në stadium duket se i ka sjellë fat lojtarëve të Milanit që mundën 1-0 Juventusin që luajti shumë poshtë nivelit të saj.
Fati i ndeshjes u vendos në minutën e 31 të pjesës së parë kur Rizzoli akordoi një 11-metërsh të dyshimtë në favor të Milanit. Një vendim shumë i kontestuar nga bardhezinjtë, por që i shërbeu kuqezinjve të marrin 3 pikë pas shndërrimit në gol nga Robinho.
Shpresat e juventinëve ishin dyshja Kualjarela-Vucinic, por në pjesën e parë të dy sulmuesit ishin të padukshëm, ndërkohë që në pjesën e dytë nuk arritën asnjëherë të krijonin raste të rrezikshme.
Këto tre pikë të rëndësishme vlejnë shumë për skuadrën e Alegrit e cila po ngjit shkallët në klasifikim. Milani hakmerret ndaj Juves dhe i bën një të mirë Interit që të hënën mund të rikthehet në vendin e dytë dhe të ngushtojë diferencën e pikëve me vendin e parë.
Top Channel