Instituti kundër revoltës së makinerive

26/11/2012 00:00

Me ritmet e zhvillimit teknologjik, njerëzit gjithmonë e më shumë do t’u besojnë detyrat e tyre makinerive inteligjente dhe këto makineri gjithmonë e më shumë do të fitojnë “pavarësi”.

Pikërisht “pavarësia” mund të çojë në një skenar të ngjashëm me serialet e “Terminator”, filmit legjendar hollivudian ku njeriu lufton për ekzistencë përballë makinerive, pjella të mendjes së tij.

Për të parandaluar këtë, në universitetin e Kembrixhit u krijua instituti i posaçëm që do të merret me studimin e kërcënimeve që mund të fshihen pas evolucionit të inteligjencës artificiale.

Qendra është pagëzuar me emrin “Terminator”, frymëzuar nga filmi me protagonist Arnold Shvarceneger dhe është një nismë e Lordit Martin Rees, astronom dhe kozmolog i famshëm në gjithë botën, Huw Price profesor i filozofisë në universitetin e Kembrixhit dhe bashkëthemeluesi i Skype, Jaan Tallin.

Në 2003-in, Rees publikoi librin “Our Final Century” (Shekulli ynë final), ku paralajmëron njerëzimin për rreziqet që i kanosen nga shpikjet e tij, që në një të ardhme mund t’i kthehen kundër dhe mund ta zhdukin atë brenda 2100-ës.

Evoluimi i inteligjencës artificiale fillimisht është parashikuar në vitin 1965 nga matematicieni dhe fizikani John Good, mik dhe bashkëpunëtor i babait të informatikës, Alan Turing. Good në atë kohë botoi një artikull për “New Scientist” ku parashikonte ndërtimin e një makinerie super-inteligjente, maksimumi i mendjes njerëzore.

Themi maksimumi i mendjes njerëzore, pasi sipas Good, më pas çdo risi në këtë fushë do t’i takonte pikërisht kësaj super-makinerie që do të përllogariste e projektonte prodhimin e të gjitha makinerive të tjera inteligjente duke “përmirësuar vazhdimisht vetveten”.

Procesi i përmirësimit mund të rezultojë fatal për njerëzimin, thotë filozofi How Price. Sipas tij, njeriu duhet të qendrojë i përgatitur për atë që ai e quajti “kutia e Pandoras” e evolucionit të inteligjencës artificiale, hapja e së cilës mund të rrezikojë vetë ekzistencën tonë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA