Has, kujtohen heronjtë e UÇK-së

26/11/2012 00:00

Drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjeve të dëshmorëve dhe deputetë të Parlamentit kosovar kanë përkujtuar të hënën në qytetin e Krumës 16 dëshmorët që në vitin 1999 u vranë nga ushtria serbe.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast është vlerësuar kontributi i gjithë qarkut të Kukësit për pritjen e popullsisë kosovare, por edhe për përgatitjen e luftëtarëve.

“Vetëm atëherë kur ta realizojmë çlirimin e tokave shqiptare dhe të krijojmë një shtet modern shqiptar të quajtur Shqipëri, atëherë kemi kryer obligimin tonë dhe kemi kryer detyrimin e amanetit të dëshmorëve”, tha Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së familjeve të dëshmorëve.

“Ata sot na mungojnë fizikisht, por gjithnjë do të jenë pranë nesh, do të jenë në zemrat tona. Ata janë të pavdekshëm”, u shpreh Adem Grabovci, deputet i Parlamentit të Kosovës.

“Hasit të bukës, të strehës dhe të besës, dhe Hasit të luftës, ju falenderoj si na mbajtët dhe luftuat bashkë me ne. Së bashku e çliruam vendin tonë, pjesën e Shqipërisë tuaj dhe tonës”, tha Kadri Veseli, themelues i UÇK-së.

Krahas djemve hasjanë, të rreshtuar në Brigadën 126 “Hasi” ishin edhe brigadat 127 e 128, njësi ushtarake nga Burreli. Luftimet e këtyre brigadave në Pashtrik vazhduan deri në kapitullimin e plotë të forcave serbe më 9 qershor të vitit 1999. Në betejën e Pashtrikut u vranë 16 ushtarë të UÇK-së, të cilët u varrosën në Krumë, Pashtrik dhe Kukës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB