Pak orë kanë mbetur nga 28 Nëntori dhe Shqipëria e pavarur mbush 100 vjeç. Për të përcjellë atmosferën që ka kapluar qytetin e Vlorës, aty ku u ngrit për herë të dytë nga Ismail Qemali flamuri i Skënderbeut, emisioni “Shqip” u transferua në Shtëpinë e Pavarësisë.
Pjesën e parë, emisioni me gazetaren Rudina Xhunga iu përkushtua përgatitjeve të Vlorës për të pritur festimet dhe atmosferës që ka pushtuar qytetin. I ftuar ndodhej kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika dhe dy historianët, Arben Puto dhe Romeo Gurakuqi.
Në fjalën e tij, zoti Gjika tha se Vlora është denjësisht e përgatitur për të qenë kryeqendra e festimeve për këtë 100-vjetor duke shtuar se qyteti është “pushtuar” nga vizitorët nga të gjitha viset shqiptare.
Familjet vlonjatë, tha zoti Gjika, kanë hapur dyert për të pritur të huaj e shqiptarë që dëshirojnë që më 28 nëntor të jenë në Vlorë. Përvec kësaj, kryebashkiaku vlonjat zbuloi disa nga aktivitetet kulturore dhe artistike që do të zhvillohen më 28 Nëntor.
“Ne si bashki kemi mundësuar organizimin e një festivali të teatrove, për herë të parë në Vlorë me pjesëmarrjen e grupeve artistike nga të gjitha trevat e shqiptare. Është menduar që në cdo moment këto të performojnë në rrugët dhe sheshet e qytetit. Më 27 në teatrin Petro Marko do të zhvillohet ceremonia e dorëzimit të titullit Qytetar Nderi për akademikun Rexhep Qosja, që do të jetë në Vlorë, por vec tij edhe ish-ambasadori amerikan John Withers që do të marrë titullin “Qytetar Nderi i Vlorës”, po në ambientet e teatrit. Tek sheshi Pavarësia do të zbulohet shtatorja e madhe e Ismail Qemalit që është një kontribut i qytetarëve vlonjatë sepse vepra është realizuar me taksat e tyre”, deklaroi zoti Gjika duke përmendur më pas edhe aktivitetet e parashikuara në protokollin e shtetit, që nga ngritja e flamurit, këndimi i Himnit Kombëtar dhe homazhet në varrin e Ismail Qemalit ku pritet të marrin pjesë krerët e shtetit.
Në studio ndodhej i ftuar edhe historiani Arben Pluto që së fundmi botoi librin “Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e fuqive të mëdha”, një hulumtim i ngjarjeve të vrullshme që pasuan vitet pas shpalljes së pavarësisë së vendit.
Në pjesëne dytë, në studion e zhvendosur të Rudina Xhungës me një lidhje të drejpërdrejtë nga Prishtina, ishte prezent lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Në nisje të fjalës së tij, zoti Kurti tha se do të ishte prezent në Vlorë më 28 Nëntor duke cilësuar më pas festimet mbarëkombëtare shenjë e manifestimit të dëshirës për bashkim kombëtar.
“Këto festime janë manifestime të dëshirës dhe protesta për atë që na mungon, për bashkimin kombëtar. Kështu duhet të lexohet e gjithë festa e 100-vjetorit në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri”, tha Kurti.
Pyetjes nëse ky përvjetor i veçantë i Pavarësisë ishte momenti i duhur për të kërkuar bashkim, apo duhej pritur akoma, zoti Kurti iu përgjigj:
“Sigurisht që nuk duhet të presim dhe këtë na e mësojnë edhe shkrimtarët e mendimtarët, që nga De Rada e Podrimja, e deri tek Sami Frashëri e Arbën Xhaferri. Duke qenë se fati është në duart tona, duhet të punojmë shumë në këtë moment. Mendoj që bashkimi kombëtar për shqiptarët ka rëndësi e bën shumë më të kollajshme demokracinë, krijohet modeli i mobilizimit dhe bazës legjitimuese. Shtetet tona, të themi të vërtetën, janë shtete me bazë pakice. Së treti bashkimi kombëtar na bën me të fuqishëm, më të sigurtë dhe më të pasur. Shqipëria ka malet, ujërat dhe detet, ndërsa Kosova fushat dhe mineralet dhe është mëkat që këtë të mos e shfrytëzojmë për të mirën e të gjithë shqiptarëve”, tha Kurti.
Kreu i Vetëvendosjes tha se ai dhe lëvizja që udhëheq ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh-protestë në këtë 100-vjetor. Një ndër ta ishte edhe vendosja ditën e hënë e flamurit kuqezi dhe tabelës “Mirësevini në Republikën e Shqipërisë” në doganën e Merdares në kufi me Serbinë.
Në fund të fjalës së tij, zoti Kurti bëri thirrje që lëvizja për bashkim të nisë që nga Vlora më 28 Nëntor.
Në pjesën e tretë “Shqip” u ndal tek figura e Ismail Qemalit me dy historianët e pranishëm në studio, Arben Puton dhe Romeo Gurakuqin.
Historiani Puto vlerësoi figurën e Ismail Qemalit dhe qendrimin e matur. Vetë Ismail Qemali tregon se i kishte shërbyer besnikërisht perandorisë, thotë Puto, me shpresën që kjo e fundit do të ndryshonte, por kur kjo shpresë u shua, ai shpalli pavarësinë e Shqipërisë.
Historiani tjetër në studio, Romeo Gurakuqi tha grupi i intelektualëve dhe patriotëve që mbështetën Ismail Qemalin nuk janë vlerësuar sa duhet deri më tani.
Dy studiuesit prekën edhe rishikimin e historisë dhe ndërhyrjet e politikës në të. Që të dy ata ranë dakort që politika duhet të qendrojë larg cështjeve historike dhe se debati duhet të zhvillohet mes historianëve.
Pjesa e tretë e Shqip i takoi “Shtëpisë së Pavarësisë” që në këto ditë, sic tha drejtori i saj, Agron Shehu nuk po pret vizitorë, por pelegrinë.
“Nuk është më një vizitë normale dhe nga dita në ditë fluksi është jashtëzakonisht i madh, aq sa u detyruam të prishnim traditën duke shoqëruar vizitorët. Është shndërruar në pelegrinazh, s’është më vizitë. Kurioziteti është i vecantë për të gjithë ndërtesën”, tha zoti Shehu.
Top Channel