Dokumentarët historikë të “Top-Channel”

26/11/2012 00:00

Ngjarje të mëdha të periudhës së Pavarësisë erdhën nëpërmjet dokumentarëvë të prodhuar nga “Top-Channel” për 100-vjetorin e Pavarësisë në këndvështrime të reja historike, të ilustruara me pamje që nuk ishin transmetuar kurrë më parë.

Dokumente që nuk e kishin parë dritën e publikimit u vunë për herë të parë në dispozicon të publikut të gjerë nëpërmjet hulumtimit të gazetarëve dhe  historianëve më të njohur.

Nacionalizmi shqiptar dhe çmimi i nje zhvillimi të vonuar ishte dokumentari i parë që çeli ciklin e ngjarjeve më të rëndësishme në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë.  Në mënyrë analitike, dokumentari sjell në vëmendje rrugën e mundimshme të përpjekjeve për krjimin e shtetit shqiptar.

Një punë e madhe nëpër arkiva, e pasqyruar me dokumente dhe pamje zbardhin bashkëpunime mes aleatëve të brendshem dhe të jashtem. Lëvizjet politike e kulturore pas shpalljes së Kushtetutës Turke e shumë ngjarjeve të tjera, boshte në të cilat shtjellohet dokumentari, sjellin informacione të thelluara për publikun e gjerë.

Rimbëkëmbja e shtetit shqiptar u transmetua i dyti në vazhdën e serisë së dokumentarëvë të prodhuar nga “Top-Channel” në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë.

Një dokumentar që u fokusua në vitet 1919-1921 dhe që solli në vëmendje ngjarje të rëndësishme të kohës së paspavarësisë.

Jehona e Konferencës së Paqes, rëndësia e Kongresit të Lushnjës, Lufta e Vlorës dhe pranimi në Lidhjen e Kombeve, ngjarje të cilat erdhën të pasqyruara me pamje dhe dokumente që s’janë  transmetuar kurrë më parë.

Nëpërmjet dokumenteve dhe intervistave të historianëve të njohur, dokumentari solli dëshmi të ngritjes së mundimshme të shtetit të parë shqiptar që hodhën dritë mbi atë çfarë mund të quhej, Pavarësia e Dytë e Shqipërisë.  

Kush e solli pavaresine e Shqiperise? Një pyetje kaq e madhe historike, është trajtuar në dokumentarin “Konferenca e Paqes ne Paris dhe Shqiperia ne vitet 1919- 1920”, sjellë në ekran nga Rudina Xhunga.

Dokumente të shumta sjellin fakte që pasurojnë njohuritë mbi delegacionet qe perfaqësuan Shqipërinë në Paris, pretendimet greke, kërkesat e Beogradit dhe synimet italiane.

Një ngjarje që s’mund të lihej pa u eksploruar. Lufta e Parë Botërore dhe Shqipëria. Dokumentari hodhi dritë mbi Shqipërinë e përfshirë në vorbullën e Luftës, një punë e Auron Tares.

Risitë që solli ky dokumentar ishin të shumta jo vetëm nga pamjet që nuk ishin trasnmetuar kurrë më parë, por dhe ana e përmbajtjes.

Në këtë dokumentar trajtohet për herë të parë eksodi serb në tokat shqiptare, një ngjarje krejt e panjohur për publikun e gjerë.

Ndërkohë krijimi i Republikës së Korçës, ngjarje e cila është prekur perciptazi deri më sot, është shtjelluar gjerë e gjatë. Dokumentari hedh dritë mbi qëndrimin e patriotëve shqiptarë, figura kryesore historike mbi luftën dhe boshtet kryesore.

Është për t’u theksuar dalja në dritë për herë të parë të dokumenteve, siç është traktati i fundit italo-austriak mbi tregtinë në Shqipëri në gusht të 1913-ës, që u nxor nga arkivat e Ministrisë së Jashtme Italiane.  

Vendimet e fuqive të mëdha në konferencën e Londrës lanë jashtë kufijve shtetërorë shqiptar Kosovën dhe Çamerinë.

Hulumtime të shumta dhe dokumente historike sollën në dokumentarin “Copëtimi i viseve shqiptare, Kosova dhe Çamëria”, të Alma Demirajt, dëshmi dhe fakte të reja rreth dhunes ushtarake policore mbi popullsinë shqiptare në Kosovë dhe kryengritjen politike nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Isa Boletinit e Sali Hoxhës.

Dokumentari rrëfen mbi levizjet diplomatike që ndërmori qeveria e Vlorës në mbrojtje të kryengritësve.

Këndveshtrimet e reja në këtë dokumentar sjellin kalvarin e përpjekjeve të shqiptarëve për të ruajtur territoret shqiptare. Përpjekje për t’i bërë ballë lëvizjeve diplomatike të shteteve fqinje për të rrëmbyer sa më shumë territore. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA