
Deputetët socialist në Komisionin parlamentar të Sigurisë kanë kërkuar
seancë dëgjimore me ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami për çështjen e
shitjes së armëve tek rebelët kongolezë.
“Rebelët kongolezë janë pajisur me armë nga Shqipëria.Ky lajm është një imazh jo i mirë për Shqipërinë. Ministri Imami të vijë këtu dhe të na japë shpjegime”, tha deputeti socialist Gazmir Bizhga. Ndërsa, mazhoranca tha se komisioni nuk është mbledhur për armatimet, po për të diskutuar ligjin. Deputeti socialist, Ilir Gjoni ka braktisur mbledhjen pas ndërprerjes së fjalës nga kryetari i komisionit Leonard Demi.
Në përfundim të mbledhjes, projekt/ligji për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes, ka kaluar parimisht vetëm me votat e mazhorancës. Lajmi për përdorimin e armatimeve shqiptare nga rebelët kongolezë është publikuar nga agjencia e lajmeve “Reuters”. Pas kësaj reagoi Ministria e Mbrojtjes e cila nuk mohoi që Shqipëria i ka shitur armatim Kongos, por se gjithçka është bërë në përputhje me ligjin. Sipas Sekretarit të Ministrisë së Mbrojtjes, Ervin Kulluri shitja e armatimeve është bërë me dijeni të OKB-së.
Top Channel