Shpërthime në Nigeri, 11 të vdekur në Kaduna

25/11/2012 19:20

Një zëdhënës i ushtrisë tha për BBC se 2 automjete u drejtuan drejt barakave (kazermave) në Jaji, në atë që ai e përshkroi si “befasuese dhe të turpshme”. Nuk është e qartë se kush është përgjegjës për sulmin.

Por, ushtria dyshon te grupi i militantëve islamikë Boko Haram, i cili ka vënë nën shënjestër kishat në këtë shtet. Grupi në fjalë po lufton për të përmbysur qeverinë dhe për të vendosur një formë ekstreme të Sharia-s, apo më mirë ligjin islamik.

Korrespondenti i BBC-së në Lagos tha se, ndërkohë që të krishterët dhe kishat janë sulmuar rregullisht, ky incident duket më shumë si një sulm direkt ndaj ushtrisë.

Të premten, ushtria e Nigerisë ofroi një çmim prej 50 milionë naira (rreth 300 mijë dollarë) për të ndihmuar në kapjen e liderit të dyshuar të Boko Haram, Abubakar Shekau, dhe 10 milionë për secilin prej liderëve të tjerë të dyshuar të po këtij grupi.

Ushtria bëri të ditur se një autobus hyri në baraka dhe u drejtua për nga muri i kishës, kur shpërtheu. 10 minuta më vonë, një makinë shpërtheu jashtë ambjenteve të kishës.

“Shpërthimi i parë nuk shkaktoi viktima, por adhurues të shumtë kuriozë u mblodhën përreth skenës, duke parë dëmet… kjo ishte fatkeqësisht situata, kur shpërthimi i dytë ndodhi”, tha zëdhënësi i ushtrisë.

Dëshmitarë raportuan se panë trupa në vendngjarje, teksa disa njerëz po nxirreshin me barrela.

Të paktën 50 veta u vranë nga shpërthimet e bombave në Kaduna në qershor, nga raprezaljet që pasuan.

Një muaj më vonë, 7 njerëz vdiqën nga një bombë në kishën Katolike Romane.

Kaduna është në vijën ndarëse mes jugut të krishterë të Nigerisë dhe veriut, që ka një mazhorancë muslimane.

Top Channel