Pavarësia, Rama me emigrantët

25/11/2012 00:00

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka veshur Athinën kuq e zi në një takim të organizuar me emigrantë në kryeqytetin grek.

Shoqëruar nga krerët e bashkive Tepelenë, Lushnje, Ballsh, Pogradec e Sarandë, por edhe deputeti Taulant Balla e sekretari për rininë Erjon Veliaj, kryesocialisti i bëri thirrje emigrantëve të bëhen pjesë e ndryshimit të madh në 2013. Një ndryshim që sipas tij duhet të prekë të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen.

“Ashtu siç morët rrugën pas asgjë në xhep, vetëm me forcën e një ëndrre shumë të madhe dhe e një vullneti të jashtëzakonshëm, është dita që ta merrni edhe një herë rrugën për të ardhur në Shqipëri e për të votuar”, deklaroi Rama.

Për liderin e opozitës është koha që Shqipëria të ndryshojë me një politikë që punon për qytetarët e jo qytetarët për xhepat e shtetarëve, siç po ndodh sipas tij sot. E po ashtu është koha, sipas zotit Rama, për një politikë në mbështetje të emigrantëve që për më shumë se 20 vjet, siç tha ai, kanë mbajtur një peshë të rëndësishme në ekonominë shqiptare.

“Ne duam të ndryshojmë marrëdhënien mes shtetit shqiptar dhe shqiptarëve në emigracion. Duam që shteti të mos i zvarrisë qytetarët në radhët e konsullatave dhe ambasadave; duam që shteti të mbrojë të drejtat e çdo emigranti dhe që kontributet e tyre të mos shkojnë dëm”, theksoi Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB