Ministri i Brendshëm Flamur Noka ka propozuar që, edhe Kosova të hyjë në listën e 12 shteteve anëtare të organizatës së bashkëpunimit ekonomik të Detit të Zi, e njohur ndryshe si organizata ekonomike rajonale BEDZ.
Deklarata u dha nga ministri Noka, gjatë takimit të 9-të të ministrave të Brendshëm të forumit të zhvilluar në Stamboll, me temë “Lufta kundër krimit të organizuar, trafikimit ilegal të drogës, armëve, qenieve njerëzore, pastrimit të parave, terrorizmit dhe krimit kibernetik”.
Flamur Noka: “Do të ishte e udhës, që të kemi një qendrim të përbashkët konstruktiv e bashkëpunues, lidhur me përfaqësimin e Kosovës në këtë forum, çka do të ishte në përputhje edhe me frymën e kërkesat e BE-së, për rritjen e bashkëpunimit rajonal. Është fakt i pamohueshëm, se projektet e përbashkëta rajonale nuk mund të diskutohen pa praninë e Kosovës dhe përfshirja sa më parë e saj, në takimet e grupeve të punës, i shërben si bashkëpunimit rajonal, ashtu edhe forcimit të kapaciteteve të Kosovës”.
Ministri Noka u shpreh se Shqipëria i ka kushtuar rëndësi luftës kundër krimit ekonomik.
Flamur Noka: “Aty krijohen mundësitë, që elementët kriminalë apo grupet kriminale të “rehabilitojnë” përfitimet e tyre nga aktivitetet kriminale. Një aspekt, i cili gjeneron mundësitë më të mëdha edhe për korruptimin e zyrtarëve apo nëpunësve shtetërorë”.
Bashkëpunimi Ekonomik i vendeve të Detit të Zi u krijua më 25 qershor 1992, me firmosjen e deklaratës së samitit dhe të deklaratës së Stambollit nga kryetarët e shteteve dhe të qeverive të 11 shteteve: Turqisë, Shqipërisë, Armenisë, Azerbajxhanit, Bullgarisë, Gjeorgjisë, Greqisë, Moldavisë, Rumanisë, Rusisë, Ukrainës, ku më pas u anëtarësua edhe Serbia.
Top Channel