KIM MEHMETI – Jo 100 vite, por shumë shekuj me radhë, ka gjallëruar vetëdija dhe ideja për shqiptari e mbështetur mbi shtyllën: një gjuhë, një komb një shtet.
Në folenë e kësaj ideje u ngjizën të gjitha të arrirat e shqiptarëve, nga të cilat më e madhërishme është shpallja e pavarësisë së Shqipërisë. Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, u copëtuan tokat shqiptare, por mbeti e tëra ideja dhe vetëdija për shqiptarinë. Ide dhe vetëdije të cilën e luftonin të gjithë që kishin marrë atë që nuk u takonte – pronat shqiptare. Por, nëse shikohet nën sipërfaqen e kësaj lufte kundër idesë për shqiptari, gjatë 100 viteve të kaluara, goditjet më të rënda asaj ia dhanë sunduesit dhe politikanët e frustruar shqiptarë, frustrimi i të cilëve kryesisht buronte nga inferioriteti ndaj politikanëve të shteteve fqinje, si dhe nga bindja se sundimin e tyre më shumë e përcaktonin të huajt, sesa populli të cilin e sundonin. Ky frustrim pastaj ushqehej edhe nga mosguximi i tyre të përballen me realizimin e idesë për shqiptarinë dhe të tillë, të frustruar, tërë “forcën” e vet e dëshmonin duke e thyer “pasqyrën” që ua tregonte fytyrën e vërtetë – duke asgjësuar atdhetarët që mbanin gjallë idenë për një gjuhë, një popull e një shtet. Dhe kështu, Mbreti Zog asgjësoi shumë atdhetarë të përbetuar, Enver Hoxha e sakatoi popullin duke burgosur e vrarë çdo shqiptar që kishte kokë për të menduar e që e dinte se shqiptarët shumëçka kishin arritur, por duke e heshtur idenë e shqiptarisë.
Edhe sot e kësaj dite, kur kemi dy shtete shqiptare dhe kur kremtojmë 100-Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, edhe sot kur me të drejtë duhet të ndihemi krenarë për të arrirat gjatë një shekulli, duhet të ndërmendim se njësoj si dikur, politikat shqiptare drejtohen edhe nga politikanë të frustruar, e frustarcioni i të cilëve buron nga inferioriteti i tyre ndaj të tjerëve, nga prirja që më të rëndësishëm ta kenë mbetjen dhe ardhjen me çdo kusht në pushtet, sesa shtetin. Kështu, duke qenë politikanë që ndihen inferiorë ndaj kolegëve të tyre në rajon e në botë, duke u ndier të paaftë të bëjnë diçka më shumë për shqiptarinë, shumica e politikanëve të Tiranës e ndanë popullin në opozitar e pozitar, duke mos i quajtur më as shqiptarë. Kështu pra, duke qenë se ndihen inferiorë ndaj atyre që me të vërtetë e pengojnë ecjen e tutjeshme të Kosovës drejt konsolidimit si shtet i pavarur, shumë zyrtarë të Prishtinës, armik numër një të vetin kanë shpallur të gjithë jomendimtarët politikë. Kështu pra, duke qenë i paaftë të realizojë kërkesat e shqiptarëve të Maqedonisë, duke u ndier inferior ndaj pushtetarëve maqedonas, Ali Ahmeti në Shkup u ka shpallur luftë të gjithë kundërshtarëve të vet politikë dhe ka përshtypjen se për mosrealizimin e premtimeve që ua ka dhënë votuesve, nuk janë pengesë qarqet politike me të cilat ai bashkëqeveris, por shqiptarët “brankovistë”, si dhe “pseudopatriotët qyqarë”, siç i quajti kundërshtarët e BDI-së “komisari politik” i Ali Ahmetit, e përndryshe i punësuar në Shkup si ambasador i Shqipërisë, Arben Çejku.
Pra edhe sot kur festojmë 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, edhe sot kur të gjitha shtëpitë shqiptare mburrshëm janë stolisur me flamuj kombëtarë, projektet për të ardhmen shqiptare janë në duart e politikanëve të frustruar, e frustracioni i të cilëve buron nga inferioriteti ndaj homologëve të tyre të huaj. Edhe sot pra, politikanët e frustruar, inferioritetin e vet e mbulojnë duke u treguar të pamëshirshëm ndaj “tradhtarëve” në radhët tona. Pra, në kohën e internetit, shqiptaria është në duart e atyre që nuk i asgjësojnë kundërshtarët politikë ashtu si Zogu e Enveri, duke i burgosur e pushkatuar, por me metoda “demokratike” – duke ua rrezikuar ekzistencën materiale, duke i heshtur e duke i detyruar ta braktisin vendlindjen.
Dhe duke qenë shumica e drejtuesve të “Shqipërive” tona të tillë, të frustruar dhe inferiorë ndaj cilitdo homologu të huaj, duke jetuar me vetëdijen se fatin e tyre e përcaktojnë raportet e diplomatëve të huaj, e jo populli që i voton, ata edhe nuk shohin se edhe kur flasin për Europë pa kufij, në Shkup nuk arrin asnjë gazetë që botohet në Tiranë apo Prishtinë, por i ke të gjitha ato që dalin në Beograd e Sofje. Duke qenë politikanë të cilët më shumë e duan pushtetin sesa shtetin dhe shqiptarinë, ata as që mund ka kuptojnë se nuk është ide antieuropiane e antiperëndimore të integrosh popullin shqiptar brenda vetvetes, se nuk paraqet destabilizim të rajonit nëse shqiptarëve të Luginës së Preshevës u ndërton ndonjë shkollë dhe nëse simbolet e shqiptarisë, si për shembull Muzeun e Alfabetit në Manastir, e shpall pronë mbarëshqiptare.
Pa dyshim, sot ne duhet mburshëm të kremtojmë 100-vjetorin e Pavarësisë dhe të Flamurit. Por gjithashtu, me plot besim në vetvete duhet të qëndrojmë përpara pasqyrës e të shohim portretin e vërtetë kolektiv, të tillë siç është. Vetëm kështu ne do ia dalim që të kuptojmë pse u bëmë popull që e madhëron të vdekurin e shquar, por nuk e çmon të gjallin e vlefshëm dhe pse ende nuk mund t’ua mbledhim eshtrat të gjithë atyre që lindën në viset shqiptare, që flijuan gjithçka për shqiptarinë, por vdiqën të vetmuar larg vendlindjes. Pasi ta kuptojmë këtë, do ia dalim të përballemi me të vërtetën se frustracionet që kemi, lindin nga mospasja guxim të pranojmë se idenë për shqiptari e kemi shndërruar në mall nga i cili më së shumti përfitojnë ata që të huajve u përkulen e të vetin duan ta shohin gjithmonë të gjunjëzuar përpara tyre.
Top Channel