Rastet e dhunës ekstreme të policisë greke ndaj emigrantëve të huaj, që jetojnë në Greqi, kanë vënë në alarm politikën greke.

Mbas denoncimit të herë pas hershëm të akteve raciste ndaj emigrantëve të bërë prej partive të majta, ka qenë vetë ministri i Mbrojtjes së qytetarit, që në rrugë zyrtare, pranon ekzistencën e këtyre akteve, madje tenton që t’u vihet fre atyre, përpara se situata të dalë nga kontrolli.

Sipas gazetes “To Ethnos”, ministri grek i Mbrojtjes së qytetarit, Nikos Dendias, ka dërguar një qarkore në gjithë rajonet e policisë dhe qendrat e mikpritjes së emigrantëve, ku u kërkohet evidentimi dhe parandalimi i akteve të dhunës dhe racizmit ndaj të huajve.

Në qarkore, zoti Dendias i kërkon Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të kësaj ministrie, që të hetojë nëse në gjirin e policisë greke ka struktura ose individë, që përkrahin partinë naziste “Agimi i Artë”.

“Rrahje, grabitje, përdhunime dhe poshtërime të individit, janë aktet tashmë normale të policisë greke ndaj të huajve”, shkruan gazeta greke.

Në një rast, një turiste britanike me origjinë shqiptare u rrah prej policëve në rajonin e policisë, Ajos Pandalejmona, në momentin që denoncoi vjedhjen e pasaportës së saj në një autobuz.

Disa emigrantë pakistanezë u rrahën prej policisë në Egaleo, mbas denoncimit që i bënë një akti racial ndaj tyre. Në një rast tjetër, një emigranti pakistanez iu prenë mustaqet dhe iu shtrënguan gishtat me pincë prej agjentëve të një rajoni policie në Nea Jonia të Atikës.

Lista e akteve raciale të policisë greke ndaj të huajve vazhdon me dhjetra raste, vëren me shqetësim “To Ethnos”. Pak ditë më parë, ambasada amerikane në Athinë njoftoi shtetasit amerikanë me ngjyrë, të bëjnë shumë kujdes gjatë lëvizjeve të tyre në kryeqytetin grek Athinë dhe qytetet e mëdha të vendit, pasi sipas ambasadës, në vend janë rritur ndjeshëm aktet raciale ndaj njerëzve me ngjyrë.

Top Channel