Një ditë pasi u përkujtuan firmëtarët e deklaratës së pavarësisë në Berat, kryeministri Berisha dhe zonja e tij ndaluan në qytetin e Elbasanit, i shndërruar të dielën në kryeqendrën e kremtimeve të 100-vjetorit të pavarësisë.
Një shekull pasi Elbasani ngriti i pari flamurin shqiptar, në datën 25 nëntor 1912, kryeministri Berisha uroi 100-vjetorin për qytetin e konsideruar prej tij si “kryeqendrër të shqiptarizmit” dhe për të gjitha trojet shqiptare.
Në fjalimin e tij, Berisha ngriti njëkohësisht peshë figurën e rilindasve dhe firmëtarëve elbasanas të deklaratës, midis të cilëve Aqif Pashës.
Nga ana e tij, kryebashkiaku socialist Qazim Sejdini, ndërsa i uroi mirëseardhjen kryemistrit, theksoi se “Elbasani nuk ka marrë ende vendin që i takon në histori, si qyteti i parë që valëviti “flamurin e lirisë””.
Në takimin e Elbasanit, Berisha dhe Sejdini inaguruan vendosjen në qytet të monumentit të Lef Nosit, elbasanasit që luajti një rol vendimtar në pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, përpara se të merrte rolin e ministrit të Postës dhe Telegrafeve në Qeverinë e Vlorës.
Aktiv në publicistikë gjatë viteve 1920-30, pas vendimit për t’u tërhequr nga politika, Nosi u pushkatua në vitin 1946 nga regjimi komunist, së bashku me Anton Harapin dhe ish-kryeministrit Maliq bej Bushatin, për shkak të mbështetjes së forcave të Ballit Kombëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Top Channel