Vdes kampioni latin i boksit

24/11/2012 18:55

Hector Kamacho, një nga boksierët më të mëdhenj të Puerto Rikos, ka ndërruar jetë në spital pasi i janë hequr aparatet që e mbanin ende gjallë, kanë njoftuar mjekët e spitalit.

Ish-kampioni i botës ndodhej në vdekje klinike mendore pasi ishte qëlluar në kokë nga persona të armatosur ditën e martë, në afërsi të kryeqytetit San Huan.

Boksieri, që ishte 50 vjeç, është ndeshur në karrierën e tij 30-vjeçare me emra të mëdhenj të botës latine të boksit. Mes tyre janë emrat Oscar de la Hoya, Sugar Ray Leonard dhe Felix Trinidad.

Camacho, i njohur ndryshe me pseudonimin Macho, po mjekohej në një qendër mjekësore të San Huanit. Drejtori i qendrës, Ernesto Torres tha për gazetarët se ish-sportisti kaloi në arrest kardiak në orët e para të së shtunës dhe ndërroi jetë vetëm pak momente më pas.

Më herët, e ëma e Camacho, Maria Matias deklaroi se donte që doktorët t’ia hiqnin të birit aparaturat që e mbanin të gjallë. Ndërsa djali i tij i madh, Hector Jr, kishte thënë se dëshironte ta mbante gjallë të atin, por fjala e fundit i takonte asaj.

Camacho u qëllua në kokë ditën e martë teksa ndodhej në makinë jashtë një bari në qytetin e tij të lindjes, Bajamon, jashtë kryeqytetit San Huan.

Shoku i tij Adrian Mojica Moreno mbeti gjithashtu i vrarë në këtë sulm. Policia deklaroi se në makinë ndodheshin qese me kokainë, por shtuan se ata nuk i dinin ende motivet e sulmit të armatosur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA