Kriza financiare, Islanda vendos të ndërrojë emrin

24/11/2012 00:00

Në përpjekje për të lënë pas krizën financiare të shkaktuar nga kolapsi që pësoi sistemi bankar, Islanda vendos…të ndërrojë emrin.

Në fakt bëhet fjalë për nismën origjinale të entit shtetëror të turizmit që shpreson që me anë të saj të tërheqë më shumë turistë drejt “Tokës së Akullt”. Pikërisht kjo “Toka e Akullt” duket se tremb vizitorët e huaj, ndaj kërkohet që këta të fundit të zgjedhin një emër më tërheqës.

Propozimet kanë vërshuar nga të gjitha anët e globit nëpërmjet postës elektronike apo postimit të zarfeve në kutinë e vendosur posaçërisht për këtë mision në aeroportin e kryeqytetit islandez, Reikjavik.

Idetë janë nga më interesantet e shumë prej tyre të lidhura më mitologjinë nordike dhe natyrën e vendit. Gjen nga ato si “Niceland” (Toka e bukur), “Land of Valhalla”, referuar këtu zotit mitologjik nordik Odin, “Land of Vulkans” (Toka e vullkanëve), apo të tjera më romantike, si “Toka që përqafon retë” “Toka e zogjve”, por ka edhe nga ato propozime sarkastike si “Quajeni Maqedoni, kot sa për të nervozuar grekët”.

Enti i turizmit thotë se do të shqyrtojë imtësisht të gjitha propozimet e më pas do të përzgjedhë emrin më tërheqës. Konkursi i gjetjes së emrit të ri të pagëzimit të Islandës do të vazhdojë deri mars të vitit të ardhshëm.

Mbetet për t’u parë nëse me këtë nismë vendi nordik do t’ia hedhë krizës, e nëse po do të ishte një ndër masat “jo shtrënguese” për vendet e tjera në krizë, (sidomos për Greqinë që mund të quhet Zeusland) e kështu me radhë për Spanjën e Italinë.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA