Ish-kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica ka deklaruar se, Serbinë e ndajnë vetëm disa ditë nga vendosja e kufirit me Kosovën, gjë që sipas tij duhet të parandalohet patjetër.

“Është me shumë rëndësi që në këtë moment të ngrihet zëri dhe t’i kundërvihemi asaj marrëveshjeje me çdo çmim, sepse një kufi tërheq pas kufij të tjerë dhe një shtantazh shantazhe të tjera”, ka thënë Koshtunica.

I cituar nga gazeta “Blic”, kryetari i PDS-së ka vlerësuar se Serbia është tejet e kërcënuar nga vendosja e kufirit brenda territorit të vet, pasi në këtë mënyrë po shkohet drejt shkëputjes nga Kosova.

Koshtunica ka njoftuar gjithashtu hartimin e një peticioni nga partia e tij kundër kësaj marrëveshjeje, ku deri tani kanë firmosur sipas tij mbi 200 figura të njohura të shoqërisë Serbe.

“Këtu hapet çështja e përgjegjësisë së këtij pushteti dhe e Gjykatës Kushtetuese, të cilës PDS i është drejtuar me një kërkesë për vlerësimin e kushtetueshmërisë së dispozitave të marrëveshjes së arritur mes Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë Koshtunica.

Sipas tij, pushteti aktual serb po fsheh të vërtetën dhe gënjen kur thotë se agjentët e EULEX-it që do të qëndrojnë në pikat kufitare do të jenë nëutralë ndaj statusit.

“Kjo, pasi misioni evropian është jashtëzakonisht i anshëm dhe po kontribuon në krijimin e shtetit ilegal të Kosovës”, ka theksuar ish-kryeministri.

Ai ka shtuar se arsyeja kryesore e rrezikut që i kanoset Serbisë është “vrapi” drejt integrimit në Bashkimin Evropian, proçes që sipas tij duhet të ndërpritet.

“Po vendosen interesat e Evropës para atyre të Serbisë. PDS kërkon nga pushteti që të heqë dorë nga rruga evropiane dhe të hspallë statusin politik neutral të Serbisë”, ka shtuar Koshtunica.

Top Channel