Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një intervistë për gazetën prestigjioze gjermane “Süddeutsche Zeitung”, ka thënë se Serbia një ditë do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Duke iu përgjigjur deklaratave të Beogradit, se asnjëherë nuk do ta njohë Kosovën shtet, Hoxhaj ka vlerësuar se me një sjellje të tillë rruga e Serbisë në Evropë do të jetë përjetësisht e mbyllur.

“Edhe Gjermania e ka thënë shumë qartë: pa fqinjësi të mirë me Kosovën nuk do të ketë anëtarësim në BE. Me pranimin e disa marrëveshjeve Beogradi dalëngadalë po pranon realitetin e Kosovës së pavarur. Ne jemi duke biseduar edhe për themelimin e zyrave ndërlidhëse dhe mendoj se Serbia do të njohë formalisht pavarësinë e Kosovës”, ka deklaruar Hoxhaj.

Përsa i përket marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufijve, shefi i diplomacisë kosovare ka bërë të ditur se, brenda dhjetorit ajo do të nisë të aplikohet në katër pika kufitare, por për këtë sipas tij duhet ndihma e BE-së.

“Deri më tani nuk kemi parë vullnet nga Beogradi për implementimin e kësaj marrëveshjeje. BE dhe Gjermania në veçanti duhet t’i bëjnë më shumë presion Serbisë, në mënyrë që të mund të ecim përpara”, ka theksuar Hoxhaj.

I pyetur në lidhje me ecurinë e Kosovës në pothuajse 5 vjet pavarësi, zoti Hoxhaj ka vënë në dukje implementimin e pakos së Ahtisarit, ngritjen e institucioneve dhe mbylljen e proçesit të mbikëqyrjes.

“Shtetndërtimi i Kosovës është rrëfimi më i suksesshëm në historinë e Ballkanit. Progresi në Kosovë duhet të matet me gjeografinë, e cila quhet Ballkan”, ka shtuar Hoxhaj.

Top Channel