100-Vjetori, Meta uron nga Tetova

24/11/2012 19:10

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta ka uruar nga qyteti i Tetovës në Maqedoni shqiptarët për 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

I ftuar nga kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi, Meta tha në fjalën e tij se e ardhmja e shqiptarëve konsiston në bashkimin dhe mirëqënien e tyre.

“100 vitet e ardhshme do të jenë vitet e bashkimit të shqiptarëve. 100 vitet që vijnë do të jenë vitet e lulëzimit të kombit shqiptar”, deklaroi Meta.

Gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore të Arbën Xhaferrit, Meta vlerësoi rolin e PDSH-së në mbështetje të shqiptarëve të Maqedonisë.

Një ditë më parë, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim uroi 100-vjetorin e Pavarësisë nga qyteti i Pogradecit, ku kujtoi të gjitha figurat e shquara që dhanë kontribut të paçmuar për një Shqipëri të lirë e të pavarur.

Në një takim me qindra simpatizantë të LSI-së, zoti Meta riktheu në vëmendje datën 29 nëntor, duke theksuar se pa çlirimin e Shqipërisë në 1944-ën nuk do të festonim 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë.

“Kujtojmë sot Ismail Qemalin dhe gjithë patriotët shqiptarë, të cilët shpallën pavarësinë e vendit tonë. Kujtojmë sot të gjithë rilindasit tanë, për të cilët Pogradeci, Korça, Kolonja kanë një kontribut të jashtëzakonshëm, të cilët e çuan kombin tonë, duke iu rikthyer figurës më të lavdishme, asaj të Skënderbeut, për të mbërritur në 28 nëntor 1912 në Vlorë. Pogradeci ka pasur përfaqësuesit e tij që nga Isuf Çollaku e të tjerë, ashtu sikurse jemi sot për të kujtuar faktin se pa 29 nëntorin e vitit 1944 Shqipëria nuk do ta kishte sot 28 nëntorin e vitit 1912”, deklaroi Meta.

Duke iu referuar të ardhmes së vendit, kreu i LSI-së tha se, ashtu siç kanë merituar pavarësinë, shqiptarët do të meritojnë edhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA