Shqiptarët e Luginës së Preshevës i kanë çuar porosi kryeministrit serb, Ivica Daçiç, që ata nuk do ta heqin përmendoren e ushtarëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare për Preshevën, Medvegjën e Bujanocin.

Mediat serbe janë alarmuar, një javë pasi është vendosur përmendorja me emrat e të rënëve gjatë konfliktit të armatosur të vitit 2001. Kryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme, Daçiç ka thënë se shqiptarët më mirë ta heqin vet përmendoren e atyre, që kanë vrarë policë dhe ushtarë. Për Serbinë këta persona janë terroristë, ndërsa për shqiptarët dëshmorë.

Ivica Daçiç, kryeministër i Serbisë: “Atëherë duhet të themi që kjo nuk është pjesë e Serbisë, sikurse thonë këta nga Prishtina a është veriu pjesë e Kosovës apo nuk është pjesë e Kosovës, pra a është Bujanoci dhe Presheva pjesë e Serbisë? Në këtë duhet të përgjigjet bashkësia ndërkombëtare nëse ka dilema, ne nuk kemi dilema, që të mos thonë nesër keni përdor forcë të tepruar”.
 
Aktivistët e të drejtave të njeriut, thonë se shqiptarët kanë të drejtë pasi ata janë amnistuar me marrëveshjen e Konçulit që ndaloi luftën e Preshevës. Ndërsa, kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa, thotë se Dacic nuk befason pasi e ka policinë në duart e tij.

Ragmi Mustafa, kryetar i Preshevës: “Nuk është deklaratë e thjeshtë politike, por është kërcënim ndaj qytetarëve të saj, pikërisht ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Por, megjithatë, shqiptarët janë të vendosur që zgjidhjen e problemeve ta realizojnë ekskluzivisht mbi bazën e marrëveshjeve, dialogut, mirëkuptimit e paqes. Në asnjë mënyrë, shqiptarët nuk do t’i përgjigjen çfarëdo provokimi që mund të organizojë zoti Daçiç në Preshevë”.
 
Disa ditë më parë para kësaj përmendoreje janë përulur për nderime dhe kryetari i socialistëve, Edi Rama me delegacionin që vizitonte Preshevën. Veteranët që kanë vendosur përmendoren kanë vendosur edhe të mos flasin.

Top Channel