Italia rekord me Njëqindvjeçarët, mbi 2,000 Italianë festojnë 100 vjetorin në 2025
Ekspertët britanikë të çkodimit të kodeve sekrete të shërbimeve të inteligjencës janë vënë prej javësh në shërbim të zbardhjes së një kodi që i përket Luftës së Dytë Botërore.
Mesazhi u gjet i lidhur në mbetjet e këmbës së një zogu fluturues që mendohet se ka qenë pëllumb në qytezën e Surreyt në Britaninë e Madhe.
Me këmbën e zogut ishte e lidhur kutia që mbante në brendi një kod më 27 shkronja. E vetmja frazë e kuptueshme është “Shërbimi i pëllumbit”, ndërsa pjesë tjetër mbetet ende një mister.
Ekspertët britanikë të inteligjencës deklarojnë se do të duhet ende shumë kohë, për të mos thënë që do të jetë e pamundur zbardhja e kodit. Sipas tyre është e nevojshme bërja publik e kodit pasi të dhëna shtesë që mund të ndihmojnë në zbardhjen e tij, mund të dihen nga publiku.
“Ne nuk kemi shumë shpresë në dëshifrimin e kodit. Të tilla kode gjatë Luftës së Dytë Botërore ndërtoheshin në mënyrë të atillë që vetëm dërguesi dhe marrësi mund t’i dëshifronin dhe askush tjetër”, deklaroi për BBC një ekspert britanik i inteligjencës që preferoi të qendrojë anonim.
Ekzistojnë dy hipoteza për përdorimin e kodit, e para që është një mesazh i rëndomtë i koduar, mes mijëra të tillëve që janë përdorur gjatë luftës dhe e dyta që mesazhi është ndërtuar nëpërmjet një kodifikimi special që më pas është shkatërruar për të humbur gjurmët e një operacioni luftarak.
Ekspertët britanikë deklarojnë se nëse bëhet fjalë për rastin e parë, kodi është i pathyeshëm, ndërsa nëse bëhet fjalë për rastin e dytë, grumbullimi i më tepër të dhënave nga publiku, persona që mund të kenë qenë anëtarë të inteligjencës në vitet e luftës apo që kanë patur dijeni për të tilla letër-shkëmbime e që janë gjallë, mund të ndihmojë në zbardhjen e mesazhit.

Top Channel