Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kërkoi nga qeveria e Kosovës, që të ndërpresë bisedimet pa kushte me Serbinë dhe të bllokojë importin e produkteve të saj.

Kjo, për shkak se, sipas Kurtit, takimet e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç, forcuan pozitën e strukturave serbe të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës.

Në kuadër të kësaj kërkese, lideri i Vetëvendosjes solli sërish planin 13 pikësh të Vetëvendosjes, i cili ka për qëllim kthimin e rendit dhe ligjit në veri. Kurti shtoi se rindërtimi i shtëpive të shqiptarëve, pa ofrimin e sigurisë, është dështim me paramendim i qeverisë së Kosovës.

“Duhet të ndërpriten përfundimisht dhe zyrtarisht këto bisedime, që po zhvillohen në Bruksel me Serbinë, të cilat siç e dimë janë bisedime pa kushte për Serbinë dhe për çështje të brendshme të Kosovës. Me këto bisedime nuk forcohet pavarësia e Kosovës nga Serbia, por pavarësia e veriut të Kosovës nga Kosova. Në anën tjetër, bllokimi i mallrave nga Serbia, që do ta pasuronte pavarësinë e Kosovës e do ta dëmtonte Serbinë, e cila po na dëmton ne, paraqesin dy hapa të domosdoshëm për zbatimin e pikave, hapave të bashkërenduara mirë për bashkimin e Mitrovicës. FSK duhet të shpallet e të bëhet ushtri, pastaj të iniciohet marrëveshja. Në veri duhet të ketë një prezencë të shtuar të policisë, për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme atje. Një bazë e njëjsisë speciale të policisë së Kosovës duhet të jetë e vendosur në lagjen e boshnjakëve, në ish bazën e KFOR-it, përkatësisht ish remonti ushtarak”, tha Kurti.

Reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje vjen në kohën kur situata e sigurisë në veri është tensionuar, pasi serbët kanë shfaqur hapur qëndrimin e tyre kundër kthimit të shqiptarëve në pronat e tyre.

Deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu, kritikoi deputetët nga radhët e partive të tjera, të cilët refuzuan të diskutojnë këtë të enjte për situatën në veri, në kuadër të cështjeve urgjente.

“Në përgjithësi, kur bëhen negociata për territore të diskutueshme, palët mundohen të përmirësojnë situatën në terren në favor të tyre, secila për vete. Në këtë dialog, këtë gjë po e bën Serbia, por jo Kosova. Kryeministri Thaçi bisedon me Serbinë, kurse Serbia vepron në Kosovë. Nga këndvështrimi i shtetit të Kosovës, veprimet për shtrirjen e sovranitetit në veri janë në kontrast me këtë dialog politik me Serbinë”, tha Aliu.

Lidhur me emërimin e Blerim Shalës, si koordinator për bisedimet me Serbinë, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje mendojnë se kjo e dobëson edhe më shumë pozitën e Kosovës. Sipas Albin Kurtit, nënkryetari i AAK-së Blerim Shala, në gusht të këtij viti, ka dhënë një intervistë, në të cilën ka demonstruar gadishmërinë për bërjen e kompromiseve në procesin e dialogut.

Top Channel