Është vetëm 39 vjeç, por një sëmundje e rëndë për pak i mori jetën. Artan Cupi vuante nga diseksioni i aortës, dëmtim i tëri në pikën kritike. Mjeku Sabian Memishaj, kardiokirurg pranë Spitalit Amerikan, tregon për gjendjen e tij të rëndë.
“Është një diseksion e tipit B, një shkolitje e aortës nga arteria suklavia e majtë dhe poshtë”, shprehet doktori.
Për Artanin, ditët me këtë lloj çrregullimi ishin një ferr. Pas rëndimit të gjendjes shëndetësore të tij, mjekët dhanë shumë pak shpresa për kurim, ndaj duhej trajtuar urgjent përmes një ndërhyrjeje që në vend ende nuk realizohej.
“Kam ndenjur 15 ditë në reanimacion pasi më goditi tensioni. Më thanë të ikja jashtë shtetit për të bërë operacion aortën”, tregon Artani.
Pas konsultave me mjekë të specializuar, Artanit iu dha një shpresë se ky operacion mund të realizohej edhe në Shqipëri, pranë Spitalit Amerikan.
“Unë nuk kisha mundësi të ikja. Më thanë që në Spitalin Amerikan e bënin këtë lloj operacioni dhe shkova atje”, thotë 39-vjeçari.
Bëhet fjalë për një ndërhyrje shumë të veçantë që sipas mjekut Memishaj ka disa avantazhe, një prej të cilave edhe mënjanimi i hapjes së kraharorit për të realizuar ndërhyrjen: “Është një risi për Shqipërinë riparimi i aortës zbritëse.”
Edhe pse kjo ndërhyrje u realizua për herë të parë në vend, rezultoi e suksesshme. Për Artanin, kjo do të thotë se jeta tani do të vijojë normalisht.
“Jam shumë mirë dhe nuk kam aspak dhimbje. Lëviz nëpër dhomë pa problem.”
Top Channel