Eda Zari koncert në Prishtinë

22/11/2012 00:00

Një artiste shqiptare dhe një grup me instrumentistë të huaj në përbërje, sollën për publikun kosovar mbrëmjen e së premtes, tinguj nga të gjitha trevat shqiptare, përzjere me ritmet xhaz.

Koncerti i Eda Zari & Band në teatrin Oda të Prishtinës, prezantoi këngët e albumit më të ri “Toka Incognita” dhe interpretime të mëhershme të këngëtares.

Në një sallë pa karrike, të mbushur plot me njerëz në këmbë e ku nuk mungonin as presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, apo ambasadorja amerikane Jacobson, muzika shqiptare nuk ishte dhe aq tokë e panjohur, siç tregon titulli i albumit të Zarit.

Jo rrallë publiku kosovar shoqëroi këngëtaren duke kënduar këngë nga Shqipëria e mesme dhe e jugut. Momente emocionouese ishin ato kur këngëtarja interpretoi “Cairet” e Përmetit, apo “Ra faja..”, “Moj e bukura more”, etj.

Interpretimi “live”, ndërveprimi me publikun dhe momentet instrumentale të klarinetës së Vladimir Gicës dhe perkusionistit Rhani Krija e bënë këtë një koncert të rrallë për kryeqytetin kosovar. Ndërsa për vetë Eda Zarin, një natë speciale, siç janë ato kur ajo këndon para shqiptarëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA