Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka kërkuar nga shqiptarët e Preshevës që të heqin përmendoren për pjesëtarët e rënë të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, e ngritur një javë më parë në qendër të qytetit.

Ai e ka cilësuar këtë veprim si një provokim të panevojshëm ndaj të cilit shteti duhet të reagojë. “Është më mirë që ata ta heqin vetë. Ky është një provokim i panevojshëm, sidomos nëse shihet në kontekstin e ditës së flamurit më 28 nëntor dhe ndërsa pritet vendimi për Hardinajn”, ka thënë Daçiç.

Njëkohësisht ministër i Brendshëm, Daçiç ka paralajmëruar se mbajtja e përmendores nuk do të çojë në një drejtim të mirë.

“Nëse vendosen pllaka përkujtimore për ata që kanë vrarë policë dhe ushtarë në jug të Serbisë, atëherë le të themi që kjo nuk është pjesë e Serbisë. Ne nuk kemi dilema nëse është ose jo pjesë e Serbisë Presheva dhe Medvegja, por nëse bashkësia ndërkombëtare mendon kështu, atëherë le të përgjigjet”, ka thënë Daçiç.

“Ne nuk duam që pastaj të thuhet se është përdorur forcë e tepruar, pasi heqja e kësaj përmendoreje mund të sjellë probleme për sigurinë”, ka vijuar ai.

Përmendoren e kanë vendosur veteranët e UÇPBM-së në qendër të qytetit, para ndërtesës së komunës, pa ndonjë aprovim.

Top Channel