Shtetet e Bashkuara të Amerikës përdorën një program përgjimi të kompiuterave, për të monitoruar fushatën zgjedhore të Nicolas Sarkozy, deklaroi të mërkurën nje burim nga Agjensia Franceze e Luftës Kibernetike.
Eksperti brenda kësaj agjensie shpjegoi se virusi i identifikuar kishte ngjashmëri me të ashtuquajturin “Flame”, i cili ishte një krijim i përbashkët amerikano-izraelit, që vendosi në qendër të sulmeve të tij programin bërthamor iranian.
Besohet se virusi, ne France sulmoi një numër kompiuterash të këshilltarëve të lartë dhe organizatorëve të fushatës, midis të cilëve edhe shefi i stafit, Xavier Musca.
Lajmi u publikua nga revista franceze “L’Express”, e cila citoi një burim të brendshëm të “mirëinformuar”: “Mund të jesh në raporte shumë të mira me një shtet, por kjo nuk të garanton nga sulmet kibernetike. Për amerikanët, ishte e rëndësishme që të siguronin mbrojtjen e “status quo” dhe interesave të tyre, edhe gjatë një periudhe delikate tranzicioni në Francë”.
Top Channel