OKB dënon rebelët kongolezë në qytetin Goma

21/11/2012 03:42

Rezoluta, e miratuar unanimisht, erdhi vetëm pak orë pasi rebelët morën qytetin lindor të Goma-s. Rebelët hasën shumë pak rezistencë nga ushtria apo paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara.

Në rezolutën e tij, Këshilli i Sigurimit kërkoi t’i jepet fund mbështetjes së huaj ndaj rebelëve të M23, si dhe u shpreh gadishmëria për të marrë masat e caktuara.

Pasi luftëtarët e M23 hynë në Goma, krerët e Republikës Demokratike të Kongos dhe Ruandas, Joseph Kabila dhe Paul Kagame, udhëtuan për në Uganda për bisedime, pavarësisht deklaratave se Ruanda po mbështeste rebelët.

Kabila nxiti popullin t’u rezistojë rebelëve, të cilët shkaktuan një tjetër rebelim 7 muaj më parë.

Megjithatë, nuk pati aspak rezistencë nga afro 1500 paqeruajtës të OKB-së në qytet, i cili gjendet vetëm 2 orë larg me makinë nga kryeqyteti i Ruandas, Kigali.

Një zëdhënës i OKB-së tha se paqeruajtësit nuk kishin sulmuar rebelët, që kishin hyrë në qytet, për të shmangur një betejë të përgjakshme, duke vënë në rrezik edhe jetët e civilëve.

Në rezolutën e propozuar nga Franca, anëtarë të Këshillit të Sigurisë dënuan ashpër marrjen e Goma-s nga rebelët dhe i kërkuan Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-moon, të rishohë raportimet se mbështetja e jashtme i ka rritur së tepërmi aftësitë ushtarake të rebelëve.

Ata ndërmorrën gjithashtu sanksione për krerët e grupit të rebelëve M23, teksa po planifikojnë të vënë nën shënjestër më shumë figura qëndrore të këtij grupimi, sipas korrespondentit të BBC-së.

Goma është qyteti kryesor me pasuri nëntokësore në lindje të Rep. Dem. të Kongos, si dhe kryeqëndra e eksportit të mineraleve përtej këtij shteti.

Top Channel