Në prag të 100-vjetorit të pavarësisë e gjithë Tirana është veshur kuq e
zi, me flamuj kombëtar dhe logo te 100-vjetorit, të cilat kanë pushtuar
jo vetëm çdo rrugë por edhe shumicën e ndërtesave, përfshirë ballkonet e
shtëpive në të cilat është bërë mëse e zakonshme valëvitja e të paktën
një flamuri kuqezi.
E gjithë kjo panoramë festive ka ngjallur shpesh debate, herë për mungesë shije apo edhe ekzagjerim në vendosjen e aq shumë flamujve dhe zbukurimeve. Por përtej kësaj, ajo që nuk mund të shmangësh nëse kalon në sheshin ‘Skënderbej’ është të ndalosh për pak çaste përpara flamurit më të madh të realizuar në këtë 100-vjetor. Ai është vendosur në të gjithë fasadën e hotel Tiranës, si urim i kësaj të fundit për 100-vjetorin e Pavarësisë.
“Vetë fakti që hotel Tirana ndodhet në sheshin kryesor të Tiranës duke qenë edhe qendra më e madhe e konferencave dhe hoteli më i madh në vend kishte për të detyrë të bënte diçka të veçantë dhe u vendos që mënyra më e mirë do të ishte mbulimi i gjithë fasadës kryesore të fotelit me flamurin kuqezi”, thotë Brunilda Londo, menaxhere ekzekutive e Hotel Tirana.
Ky flamur gjigant ka një sipërfaqe prej 1500 metrash katrorë në një gjatësi prej 38 metrash dhe gjerësi prej 35 metrash.Flamuri do të qëndrojë i ekspozuar në fasadën e tij përgjatë gjithë muajit nëntor.
Basha: Festë madhështore për 28 Nëntorin
Kryetari i bashkisë prezanton axhendën për 100-vjetorin
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka prezantuar pasditen e së martës në mbledhjen e Këshillit Bashkiak axhendën e festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë.
“Në kryeqytet është krijuar një atmosferë festive. 100-vjetori i Pavarësisë po përjetohet në mënyra të ndryshme nga qytetarët. Në javën që lamë pas janë organizuar 38 aktivitete. Festa po bashkon shqiptarët nga i gjithë vendi dhe ne jemi përgatitur për një ceremoni madhështore”, ka deklaruar Basha.
Gjatë fjalës së tij, Basha ka dhënë edhe detajet e festës së përgatitur, duke vënë në dukje evenimentet e ndryshme që janë organizuar edhe përpara 28 Nëntorit.
“Do të kemi një ceremoni në urën e Tabakëve, do vendoset një mozaik në vendin ku u ngrit flamuri në Tiranë, ndërsa në pedonalen Murat Toptani do të hapet panairi “Blej Shqip”. Gjithashtu, më 26 nëntor do ketë koncerte të grupeve të rrokut”, ka saktësuar kryetari i bashkisë së kryeqytetit.
Top Channel