CEZ kërkon garancinë e BB

20/11/2012 22:45

Kompania “CEZ Shpërndarje” kërkon garancinë prej 60 mln eurosh të dhënë nga “Banka Botërore”, për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes në vendin tonë.

Sipas një deklarate, të dhënë nga kompania në Çeki, CEZ ka nisur të gjitha hapat ligjorë për të marrë shumën e vënë garant nga Banka Botërore në vitin 2009, pas problemeve të shumta, me të cilat po përballet, për shkak të mospagesës së faturave të energjisë.

“Kemi bërë kërkesën për kompensim të dëmit të shkaktuar nga Shqipëria, që mbulohet nga garancia e Bankës Botërore”, – është shprehur për mediat çeke Tomaz Pleskac, drejtor i Divizionit të Shpërndarjes dhe Aseteve të Huaja në CEZ group. “Situata është shumë e tensionuar”, – vazhdon ai, duke shtuar se CEZ do të mbrojë investimet e saj, duke nisur arbitrazhin ndërkombëtar kundër Shqipërisë, nëse qeveria do t’i heqë licensën.

Sipas tij, kjo nënkupton nisjen e një periudhe 60 ditore, gjatë së cilës CEZ dhe qeveria shqiptare do të duhet të arrijnë një marrëveshje. “Nëse nuk arrihet një gjë e tillë, do të kërkojmë garancinë”, – përfundon Pleskac.

Pak ditë më parë, Enti Regullator i Energjisë njoftoi se ka nisur procedurat për heqjen e licensës ndaj CEZ, çka do të thotë se kjo procedurë mund të rezultojë në përfundimin e aktivitetit të CEZ Shpërndarje në tregun shqiptar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA