Opozita shqiptare i shikon deklaratat e fundit të zyrtarëve të lartë të qeverisë që lidhen me proçeset integruese, si vijimin e një politike me mendësi të vjetra.
Ditmir Bushati, kryetar i komisionit parlamentar të integrimit, në një intervistë për Top-Channel shprehet se qeveria është duke u munduar që dështimet në plotësimin e 12 prioriteteve, në mënyrë absurde, t’ia faturojë opozitës.
“Është një mendësi e vjetër e kryeministrit, që kur është përballë dështimeve, të keqen e gjen tek të tjerët. Ja vlen të bëhet me dije se është qeveria e Berishës që ka dështuar, tek mungesa e aftësisë për të gjetur kompromis me opozitën dhe për të arritur standarte më të larta jetese për qytetarët e këtij vendi. Mjafton të shohim diskretitimin e djeshëm ndaj opozitës shqiptare dhe qëndrimeve të saj, për të kuptuar kredibilitetin e administratës publike”, deklaron Bushati.
Deklaratën e djeshme të ministres së Integrimit Majlinda Bregu, se qeveria e re e Holandës e ka ndryshuar qëndrimin refuzues që i bën rekomandimeve të Komisionit Europian, Bushati e quan dezinformim dhe diversion.
Zoti Bushati thotë se ministrja Bregu dhe kolegu i saj Panariti nuk mund të marrin atributet e zëdhënësit të qeverisë holandeze.
“Qeveria holandeze ka një qëndrim solid për çështjen e zgjerimit, të cilin e ka mbajtur me Serbinë, Kroacinë, Malin e Zi dhe këtë herë me Shqipërinë. Këtu kemi të bëjmë me një qëndrim taleban të Berishës. Dezinformimi i qeverisë së tij është jashtëzakonisht i ulët pasi bëhet fjalë për të njëjtin kryeministër që drejton qeverinë e re holandeze”, nënvizon Bushati.
Top Channel